Një delegacion me gra deputete të Kuvendit të Shqipërisë, i kryesuar nga Zëvendëskryetarja znj. Klodiana Spahiu, po zhvillon një vizitë dyditore në Itali. Gjatë ditës së sotme delegacioni u prit në një takim nga Zëvendëspresidentja e Senatit të Italisë, Maria Domenica Castellone. I pranishëm në takim ishte gjithashtu edhe Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Senatit, Alessandro Goracci.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit falënderoi znj. Castellone për pritjen e ngrohtë dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer që Italia i ka dhënë Shqipërisë që prej viteve ’90.

“Përfitoj nga rasti për të shprehur vlerësimin tim për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe për angazhimin e përbashkët të të dy palëve për të forcuar partneritetin strategjik, të bazuar në lidhje të jashtëzakonshme dhe të qëndrueshme historike, kulturore, ekonomike dhe njerëzore. Shqipëria do t’i jetë gjithmonë mirënjohëse Italisë për mbështetjen e saj të vazhdueshme dhe të palëkundur ndaj politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian, si dhe për rolin e saj proaktiv në promovimin dhe mbështetjen e perspektivës evropiane të Shqipërisë,” u shpreh znj. Spahiu.

Me tej Znj. Spahiu vlerësoi si një arritje të rëndësishme edhe marrëveshjen për njohjen e pensioneve mes dy vendeve, e cila prek drejtpërdrejt jetën e mijëra qytetarëve.

Nga ana e saj, Zëvendëspresidentja e Senatit italian, znj. Castellone, shprehu kënaqësinë për këtë takim me një delegacion të përbërë nga gra të spikatura të politikës shqiptare. Ajo vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes Shqipërisë dhe Italisë, si në nivel qeveritar ashtu edhe në nivel parlamentar, duke theksuar se ekziston hapësirë dhe vullnet për ta intensifikuar më tej këtë bashkëpunim përmes dialogut institucional dhe shkëmbimeve parlamentare.

Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, znj. Milva Ekonomi, theksoi rëndësinë e shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve. Ajo u shpreh se Italia mbetet një nga partnerët kryesorë ekonomikë të Shqipërisë dhe një model për zhvillimin e sektorit të turizmit.

Sipas saj, një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ekonomike po luajnë edhe emigrantët shqiptarë në Itali, shumë prej të cilëve kanë ndërtuar biznese të suksesshme dhe po kthehen për të investuar në Shqipëri.

Anëtarja e Komisionit Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet; Znj. Ogerta Manastirliu theksoi rëndësinë e marrëveshjeve të arritura ndër vite mes dy vendeve në fushën e arsimit dhe nevojën për të zgjeruar më tej bashkëpunimin në këtë sektor, duke nënvizuar gjithashtu se ecuria e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian mbetet objektivi madhor i vendit.

Znj. Mesila Doda, anëtare e Komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale; vlerësoi rolin e studentëve shqiptarë në Itali si një urë të rëndësishme lidhëse mes dy popujve. Ajo theksoi se duhet të ketë bashkëpunime më të shpeshta dhe projekte të përbashkëta mes dy vendeve, duke shtuar se parlamentarët mund të kontribuojnë jo vetëm në nivel institucional por edhe atë njerëzor.

Ndërsa znj. Jozefina Topalli u shpreh se kjo vizitë, përveç mundësisë për shkëmbim idesh dhe përvojash, përcjell edhe një mesazh të veçantë për bashkëpunimin parlamentar dhe rolin e grave në politikë.

Ish-Kryetarja e Kuvendit, anëtare e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Znj. Jozefina Topalli u shpreh se fakti që delegacioni përbëhet tërësisht nga gra e bën këtë vizitë edhe më të veçatë. Ajo theksoi se shpesh thuhet që burrat flasin për pushtetin, ndërsa gratë flasin për pushtetin dhe për jetën, duke shtuar se qëllimi i kësaj vizite është gjithashtu të përcjellë një mesazh dashurie, respekti dhe bashkëpunimi mes dy vendeve.

Gjatë vizitës dyditore në Romë, Zëvendëskryetarja e Kuvendit mori pjesë edhe në konferencën për rolin e grave në ndërtimin e urave mes shoqërive, e cila u zhvillua në Vatikan.

Në Romë u zhvillua konferenca me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, ku u diskutua mbi rolin e grave në ndërtimin e urave midis dijes, kulturave dhe shoqërisë.

Në fjalën e saj, Zëvendëskryetarja Spahiu theksoi se gratë janë shpesh ndërtuese të rëndësishme të dialogut mes institucioneve dhe shoqërisë, duke sjellë zërin e komunitetit në politikë dhe duke ndihmuar në krijimin e politikave më gjithëpërfshirëse.

Ajo vlerësoi gjithashtu përparimin e Shqipërisë në rritjen e përfaqësimit të grave në jetën publike dhe institucionet vendimmarrëse, duke theksuar se sfida kryesore mbetet forcimi i lidershipit femëror për të promovuar dialogun, bashkëpunimin dhe përfshirjen.

Gjatë aktivitetit u theksua edhe tradita shqiptare e bashkëjetesës fetare dhe dialogut ndërfetar, ndërsa theksoi rolin e figurës së Nënë Terezës, si simbol i solidaritetit dhe i ndërtimit të urave mes kulturave dhe njerëzve.
Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve, akademisë dhe shoqërisë civile për të diskutuar mbi kontributin e grave në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më humane.