Një delegacion i Parlamentit Europian viziton sot Tiranën në përpjekje për të ulur palët në bisedime pas djegies në bllok të mandateve nga opozita.
Të dërguarit e Parlamentit Europian që u përkasin të gjitha grupeve, do të takojnë fillimisht pasdite krerët e opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.
Më pas në axhendë është një takim me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj për të vijuar me kryeministrin Rama dhe ministrin e Jashtëm në detyrë Gent Cakaj.
Takimet do të vijojnë edhe gjatë së enjtes me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi dhe më pas me përfaqësues të shoqërisë civile. Në përfundim të takimeve delegacioni i Parlamentit Europian do të ketë një deklaratë për mediat.





