Teuta ka arritur një fitore të vyer ndaj Egnatias, duke mos i lejuar vetes një hap fals në këtë pikë të sezonit. Portieri i Teutës, Endri Dema, bëri një ndeshje shumë të mirë ndaj kryesuesve. I aktivizuar në 6 ndeshjet e para si titullar pas largimit të Pano Qirkos, tashmë mund të themi se porta i është besuar djaloshit të akademisë, që herë pas here ka shpëtuar ekipin me pritjet e tij vendimtare. Dema shprehet se suksesi erdhi pas një grinte të treguar nga minuta e parë nga të gjithë shokët e ekipit. Për portierin, takimi me Erzenin është një sfidë e fortë, që duhet fituar.
Si ju duk ekipi në këtë fitore të rëndësishme ndaj Egnatias kryesuese?
E dinim edhe para ndeshjes që do të ishte një takim i luftuar në mesin e fushës dhe do të vendosej nga episodet, ashtu siç edhe ndodhi. Kemi bërë mirë, por përballë kishim Egnatian, një skuadër që ka përbërje mjaft të mirë të organikës. Na jep qetësi ky trepikësh dhe besoj që këtë dëshirë dhe grintë do ta tregojmë edhe në takimin me Erzenin.
Sezoni i parë si titullar në Superiore. Si po ndiheni?
Falë Zotit arritëm të fitonim. Trajneri Rizvani me ka dhënë shumë besim, pasi ai punon me një përkushtim për t’u pasur zili dhe kam fatin e mirë që po stërvitem me të. Jam i lumtur për atë çfarë bëra këtë ndeshje, por kam ende shumë punë përpara. Puna që na pret është mjaft e madhe, ndaj duhet të përqendrohemi për javët e ardhshme.
Më të rëndësishme pikët apo loja e bukur?
Është një moment shumë i rëndësishëm në këtë pikë të sezonit, ku më tepër se kurrë na duhen pikët se loja e mirë. Besoj se qëllimi kryesor për ne kur të hymë në fushën e lojës është marrja e pikëve maksimale.
Si e prisni duelin ndaj Erzenit?
Jam i bindur që ekipi ka forcën, por dhe kurajën, që është më kryesorja. Ka shpirtin e garës për t’u paraqitur në fushë sa më mirë të jetë e mundur. Ne e dimë se kemi përballë një kundërshtar të fortë. Për mua personalisht është ekip i mirë, por ne jemi të përgatitur duke parë angazhimin, por dhe shpirtin e garës që çunat tregojnë në stërvitje, por dhe në ndeshje. Na pret një betejë shumë, shumë e fortë.
Sa i druheni kundërshtarit të radhës?
Ky kampionat ka treguar seçdo ekipi duhet t’i druhesh, pasi është tregues i qartë që çdokush mund të marrë pikë ndaj çdokujt. Është shumë i vështirë si kampionat. Erzeni ka lojtarë shumë të mirë, pavarësisht që nuk është lart në renditje. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm.