Komisioni për Punë të Jashtme do mblidhet të hënën për të diskutuar versionin aktual të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Po, të njëjtën ditë, kjo marrëveshje do t’i dërgohet për shqyrtim Kryesisë së Kuvendit.
Nënkryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj, ka thënë për Gazetën Express, se komisioni tashmë ka caktuar agjendën.
“Të hënën në komisionin parlamentar për punë të jashtme është në rend dite marrëveshja e demarkacionit”, ka thënë Kadrijaj.
Deputetja e AAK-së, po ashtu ka bërë të ditur se deputetët e partisë së saj, qëndrojnë prapa vendimit për të mos e mbështetur versionin aktual të demarkacionit.
“AAK nuk ka ndërruar qëndrim, do të votojmë kundër kësaj marrëveshjeje”, ka thënë ajo.
Më tej, Kadrijaj thotë se pas procedurave në Komisionin për Punë të Jashtme marrëveshja do procedohet për në Kryesi të Kuvendit hënën.
Në të njëjtën ditë, siç ka mësuar Gazeta Express mblidhet edhe Kryesia.
Por, megjithatë Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, nuk mund të shkojë në Kuvend të njëjtën ditë e as gjatë javës.
Në mbledhjen e parë të kryesisë pas pushimeve dimërore, pritet të diskutohen pikat e ditës të cilat kanë mbetur peng nga viti i kaluar për t’u hedhur në votim të enjten, ditën kur do mbahet seanca e parë për këtë vit.
Marrëveshja e Demarkacionit, sipas Rregullores së Kuvendit, mund të jetë në rend dite vetëm nëse mblidhen 40 nënshkrime dhe vendoset që kjo çështje të hyjë në rend dite me seancë të jashtëzakonshme.