726 banorë të Durrësit kanë përfituar deri më tani bonusin e qirasë që është shpërndarë në ditët e fundit të muajit dhjetor, ndërkohë që qytetarët e tjerë të përfshirë në listat e miratuara nga Këshilli Bashkiak do ta përfitojnë atë gjatë muajit janar.

Deri më tani Këshilli Bashkiak ka miratuar dy lista me 3863 qytetarë, ndërkohë që të tjerë vazhdojnë shtohen, pasi procesi nuk është mbyllur ende.

Në muajin dhjetor, zëvendës ministrja Rovena Voda deklaroi se duke nisur nga 3 janari, banorët e strehuar në hotele duket të nisin të largohen nga këto struktura. Nënkryetari i bashkisë, Florian Tahiri deklaron për DurrësLajm se dy javët e fundit u është bërë apel familjeve të strehuara në hotele që të sistemohen në shtëpi me qira.

Sipas Tahirit, një pjesë e konsiderueshme e familjeve të strehuara në hotele kanë qenë të sistemuar edhe më parë me qira. Sipas tij, këto familje nuk do të përfitojnë bonusin e qirasë, pavarësisht se shtëpia ku banonin deri në datë 26 nëntor është dëmtuar nga tërmeti. Nënkryetari thekson se ata duhet të sistemohen në shtëpi të reja me qira. Njëkohësisht, edhe familjet e tjera të vendosura në hotele duhet të nisin të spostohen nga këto struktura dhe të vendosen në shtëpi me qira, deri në riparimin e banesave të tyre.  

Po ndërkohë që ka kaluar rreth 1 muaj e gjysëm nga tërmeti shkatërrimtar, banorët e Durrësit janë gjithë sy e veshë drejt dritës jeshile që do të mundësojë riparimin e banesave të tyre. Brenda muajit janar pritet të dalë fatura përfundimtare e dëmeve të shkaktuara në Durrës, ndërsa do të jetë konferenca e donatorëve dhe fondet që do të mblidhen prej saj që do të hapin dritën jeshile për akordimin e fondeve për ndërhyrjet në shtëpi private e pallate.

Nënkryetari Tahiri deklaron se disa ndërtues kanë nisur tashmë riparimin e dëmeve në pallatet e ngritura prej tyre, ndërsa për ato pallate ku ndërtuesit nuk kanë marrë përsipër kryerjen e punimeve, këto të fundit pritet të realizohen nga kompani ndërtimi të kontraktuara nga qeveria.

Ndërkohë, procesi i akt-konstatimeve në terren vijon edhe këto ditë të para të vitit 2020. Durrësi është qyteti më i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa ende nuk ka një faturë përfundimtare të dëmeve që la pas lëkundja e fortë sizmike që shkaktoi 23 viktima dhe rrafshoi shtëpi, pallate e hotele.

M.B.