Drejtuesi Politik i Qarkut Durrës, Edi Paloka në takimin e tij të radhës në fshatin Derven ka takuar banorët e zonës duke ndjekur nga pranë problematikat e tyre. Paloka ka quajtur emërues kryesor të çdo problemi, Ramën dhe keq-qeverisjen e tij këto 8 vite, e cila i ka lënë shqiptarët në vend-numëro.
“Në këto 8-vite më shumë se ju, nuk e ka provuar askush qeverisjen e keqe, pa asnjë diskutim kjo mund të jetë qeverisja më e keqe në 30 vite pluralizëm. Ky kryeministër jo vetëm u shkakton të zeza shqiptarëve, por pas asaj edhe tallet duke bërë arrogantin. Me këtë do të përballemi me 25 prill, me këtë qeveri, të gjithë kemi mundësinë t’i themi ndal të keqes, e keqja ka një emër, është Edvin Rama dhe me 25 prill i themi ndal kësaj të keqe.”
Gjithashtu Paloka duke marrë shkas nga “fushata” e Ramës ditët e fundit, nuk ka harruar as të sjellë në kujtesë premtimin e pambajtur që prej vitit 2013 të kryeministrit Rama dhe gjithashtu ka zbuluar se dy prej pikave me interes për qytetarët e zonës, janë ato të cilat lidhen me familjet e prekura nga tërmeti.
“Sot Rama del dhe u premton shqiptarëve ujë 24 orë. Të njëjtën gjë ka thënë dhe në 2013, madje tha nëse nuk e realizoj ejani kërkoni përgjegjësinë tek unë. Kemi detyrim t’i japim fund dhe t’i themi stop, që pasi të largojmë këtë të keqe, të mund të mendojmë për të ardhmen. Çdo ditë kemi paraqitur pjesë të programit të plotë. Dy nga pikat e këtij plani janë për ju si zonë e prekur nga tërmeti, e cila e ka problem imediat. Kemi dëgjuar Ramën që po iku ai, do mbeten jashtë njerëzit, në fakt jashtë janë tani njerëzit, kanë gati dy vite.”
Paloka nuk harroi as të përmendte kontratat dhe akt-marrëveshjet e OSHEE të cilat i quajti kontrata skllavërie, për të cilat njerëzit duhet të paguajnë edhe kur nuk kanë para. Ai premtoi se këto kontrata do të fshihen sapo PD të vijë në pushtet dhe se askush nuk do të ketë detyrim të paguajë “borxhe që shtohen borxh pas borxhi”, ka thënë në përfundim të fjalimit të tij.





