21 shkurt 2015 –  Futbolli kalon në plan të dytë. Më shumë se barazimi në Ligën e Europës, në Romë bëhen llogaritë për dëmet e shkaktuara nga tifozët e Fejnordit. Sipas autoriteteve lokale bizneset në sheshet kryesore të kryeqytetit italian kanë humbur më shumë se 3 milionë euro. Kjo shifër rritet më shumë nëse llogariten dëmet në disa prej monumenteve të kulturës. Shatërvani i Berninit në “Piazza di Spanja” është dëmtuar, ashtu si edhe disa monumente të tjerë të njohur të Romës. Si pasojë e përleshjeve përpara dhe pas ndeshjes në Ligën e Europës, policia ka arrestuar 25 persona.

Gjashtë prej tyre janë lënë në burg, ndërsa 19 të tjerë janë liruar pasi janë dënuar me gjobë. Ndërkohë, mediat italiane kanë bërë një vëzhgim në lidhje me një grupim brenda tifozëve ultras të Fejnordit. Të gjithë djem të rinj në moshë, afro 500 vetë janë të njohur për huliganizmin edhe në të shkuarën. Udhëtojnë në tranfertat e skuadrës së tyre me objektivin e vetëm për të krijuar trazira dhe këtë e bëjnë vetëm jashtë vendit.

Sipas autoriteteve hollandeze këta persona nuk kanë lidhje me futbollin, pasi në shumicën e rasteve nuk kanë as bileta për të hyrë në stadium. Komentet në lidhje me atë që ndodhi në Romë kanë qenë të ashpra në mediat italiane që i kanë quajtur barbarë tifozët hollandeze. Kritika edhe në mediat hollandeze, ndërsa klubi i Fejnordit ka dënuar dhunën dhe është distancuar nga tifozët.