Edhe pse pijet energjike nuk lejohet të shiten për fëmijët nën 18 vjeç, sërish konsumimi i tyre nga të rinjtë mbetet problematikë shqetësuese për prindërit dhe mjekët.
Ndërsa prindërit mund edhe të mos jenë në dijeni të konsumimit të herëpashershëm të pijeve energjike nga fëmijët e tyre, episodet e nervozizmit, mungesës së fokusit dhe sjellje të tjera alarmante janë thirrje ndërgjegjësuese për kontroll më të rreptë.
Nga ana e tyre, mjekët theksojnë se konsumimi i pijeve energjike nga adoleshentët dhe të rinjtë lidhet me pasoja serioze për shëndetin fizik dhe mendor, përfshirë dëmtimin e zemrës, çrregullime të sistemit nervor, probleme të përqendrimit dhe rritje të rrezikut për varësi.
Mjekja kardiologe, Anila Shahini, njëherësh drejtuese e Qendrës Shëndetësore të Specialiteteve Nr. 1 në Tiranë, tha për ATSH-në se në praktikën e përditshme klinike përballet me të rinj dhe adoleshentë me ankesa për probleme të zemrës, të cilat lidhen me konsumimin e pijeve energjike.
“Konsumi i tepërt i pijeve energjike shkakton presion të lartë të gjakut, rrahje të shpeshta dhe të forta të zemrës, ndjesi marrjeje fryme dhe ankth. Konsumi i pijeve energjike mund të shkaktojë aritmi edhe te të rinj që nuk kanë pasur më parë probleme të njohura të zemrës. Kjo lidhet kryesisht me përmbajtjen e lartë të kafeinës në këto pije. Ato përmbajnë nga 80–300 miligramë kafeinë, ndërkohë që një filxhan i zakonshëm kafeje përmban deri në 100 miligramë kafeinë. Përveç kafeinës, pijet energjike përmbajnë edhe substanca shtesë si guarana, taurina dhe L-karnitina”, tha Shahini.





