Për të gjitha rastet kur konstatohet ndërhyrje e paligjshme në matës për të cilin është shkaktuar dëm ekonomik Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) do të llogarisë dhe lëshojë faturë brenda një harku 30 ditor.

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) bëri ndryshimet në rregulloren dhe metodologjinë për përllogaritjen dhe vendosjen e dëmit ekonomik të shkaktuar nga ndërhyrjet e paligjshme në sistemin e matjes të energjisë elektrike ku përfshihet edhe ky aspekt. Kështu ndryshimet në rregullore janë ndalur specifikisht në dy pika. E para ka të bëjë me informimin e përdoruesit dhe furnizuesit.

Më herët në rregullore thuhej se “OSSH sigurohet që të informojë Furnizuesin dhe Përdoruesin e rrjetit në çdo rast që konstaton dëm ekonomik të shkaktuar nga një përdorues i rrjetit me të cilin Furnizuesi ka një kontratë furnizimi, jo më vonë se 48 orë nga konstatimi, përpara ndërmarrjes së ndonjë veprimi kundrejt përdoruesit të rrjetit”.

Tashmë harku kohor 48 orësh është hequr nga rregullorja e dhe pika e re parashikon që “OSSH sigurohet që të informojë Furnizuesin dhe Përdoruesin e rrjetit në çdo rast që konstaton dëm ekonomik të shkaktuar nga një përdorues i rrjetit me të cilin furnizuesi ka një kontratë furnizimi, në momentin e emetimit të faturës së dëmit ekonomik”

Pika e dytë e ndryshuar që kishte të bënte me lëshimin e faturës ishte “OSSH lëshon faturë të posaçme të dëmit ekonomik të përllogaritur për Përdoruesin të rrjetit, jo më vonë se 7 ditë nga konstatimi, e dërgon atë në adresën e përcaktuar në marrëveshjen e lidhjes me Përdoruesin e rrjetit dhe sigurohet që ta arkëtojë atë brenda 30 ditëve nga lëshimi i saj”.

Kjo pikë tashmë bëhet “OSSH lëshon një faturë të posaçme të dëmit ekonomik të përllogaritur për Përdoruesin e rrjetit, brenda ciklit të leximit/faturimit (30 ditë), e dërgon atë në adresën e përcaktuar në marrëveshjen e lidhjes me Përdoruesin e rrjetit dhe sigurohet që ta arkëtojë atë brenda 30 ditëve nga lëshimi i saj” thuhet në rregulloren e re.

Ndryshimet e propozuara sipas Entit lidhen me argumentet e OSSH se në kushtet kur ky i, punon me cikël 30 ditor të sistemit të lexim/faturim-it, do të ishte më e përshtatshme që afati i lidhur me lëshimin e faturës të jetë brenda ciklit mujor të lexim/faturimit.

Gjithashtu, në vendim argumentohet se propozimi për njoftimin e furnizuesit dhe përdoruesit të rrjetit në momentin e lëshimit të faturës përkatëse, OSSH sh.a. e shënjon si moment të zyrtarizmit të shkeljes/ndërhyrjes së paligjshme në sistemin e tij. /Monitor