“Demokracia e Re” e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka fituar me një diferencë të thellë nga kundërshtarët e SYRIZA-s, zgjedhjet evropiane për Greqinë.
Sipas rezultateve në kohë reale nga Ministria e Brendshme helene, “Demokracia e Re” po fiton me 27.9% të votave dhe kryeson me një diferencë dyshifrore, pasi SYRIZA ka marrë vetëm 14.8%. Në vend të tretë renditet PASOK me 12.9%, ndërsa Zgjidhja Helenike dhe KKE duelojnë për vendin e katërt në këto zgjedhje.
Përveç fitores së partisë së Mitsotakis i rëndësishëm është fakti se me votat e numëruara deri më tani, nga kandidatët për eurodeputet të Demokracisë së Re, i treti renditet kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri.
Listën e kryeson deri më tani gazetari Giorgos Attias me 21.153, i ndjekur nga Vangelis Meimarakis (16.076) dhe Fredi Beleri (13.286). Më pas vijnë me radhë Eliza Vozeberg (11.378), Manolis Kefalogiannis, Eleonora Meleti, Dimitris Tsiodras, Pirro Dhima dhe Stelios Kymbouropoulos.
Sipas projeksioneve të Ministrisë së Brendshme shtatë parti do të kenë eurodeputetë në Parlamentin e ri Europian.