Durrës, 13 korrik 2014 – Demokratët durrsakë nga sot kanë një kryetar të ri. Pas zgjedhjeve të zhvilluara paraditen e sotme, delegatët e selisë blu nga të gjitha bashkitë dhe komunat e rrethit të Durrësit zgjodhën kryetar të degës së PD-së Osman Stafën.

Kandidati Stafa arriti të mbledhë 287 vota, kundrejt 223 vota që mblodhi rivali i tij Ardian Muka. Kujtojmë se dy kandidatët dolën në balotazh, pasi në zgjedhjet e zhvilluara ditën e premte, asnjë nga kandidatët nuk arriti të mbledhë më shumë se 50% të votave, megjithëse Stafa kryesonte edhe në atë proces. 6 vota janë shpallur të pavlefshme. Në procesin e votimit kanë marrë pjesë 516 delegatë, ose 93% e tyre.  

Stafa do të zërë kështu vendin e kryetarit të mëparshëm Igli Cara dhe do të jetë personi që do të organizojë demokratët e Durrësit në sfidën e rëndësishme që kanë përpara, zgjedhjet lokale të 2015. Prej 4 mandatesh, demokratët durrsakë nuk arrijnë të fitojnë bashkinë e Durrësit, e cila që nga viti 2000 udhëhiqet nga socialistët.

Kush është Osman Stafa

-Lindur më 20.01.1965
-Ka mbaruar studimet e larta Ekonomi-Financë 1987-1991
-Lider i lëvizjes studentore dhjetor  1990
-Firmëtar në themelimin e PD
-Kryetar i grupit të grevës në takim me ish kryeministrin Adil Çarçani
-Për tërë kontributin e dhënë është dekoruar me medaljen e Trimërisë
-1992-1994 Kryetar i policisë financiare Durrës-Krujë
-1994-1997 ka punuar me detyrën e shefit të komisiariatit Përmet, Berat, Lushnje.
-Në vitin 2000 ideator dhe financues i bustit të Azem Hajdarit
-1997-2007 sektori privat
-2007-2013 Punon në administratën tatimore Tiranë
– nga shkurti 2013 i pa punë (sektori privat)

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/