Ndërsa në Tiranë po zhvillohet protesta e dytë pas shembjes së Teatrit Kombëtar, një përfaqësi drejtuesish, anëtarësh dhe mbështetësish të Partisë Demokratike nga Durrësi ndodhen në sheshin e protestës. Shumë prej tyre ishin edhe në protestën e ditës së hënë, që u organizua nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Paraditen e së dielës, shumë prej tyre u mblodhën para selisë së PD në Durrës për t’u nisur drejt kryeqytetit, për t’ju bashkuar artistëve, aktivitëve, mbështetësve të opozitës dhe qytetarëve tiranas që protestuan me forcë ndërsa fadromat shembnin godinën e Teatrit Kombëtar, që u mbrojt për 27 muaj me radhë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Tentativa e tyre dështoi, pasi u kthyen mbrapsht nga policia.

Sot, ndërsa një përfaqësi nga Durrësi merrte pjesë në protestën në kryeqytet, një protestë tjetër u mbajt para Pallatit të Kulturës në qytetin bregdetar.

Dhjetëra të rinj protestuan me flamuj kuq e zi e pankarta në duar kundër shembjes së Teatrit Kombëtar dhe shkatërrimit të arkeologjisë së Durrësit, të varrosur ndër vite nën beton.