Në një refleksion për vitet e para të demokracisë dhe periudhën e tanishme ish-kryetari i Këshillit të Rrethit, Vaso Papaj, thekson se harresa që i është bërë qytetarëve durrsakë nga Partia Demokratike u reflektua mjaft qartë në diferencën e thellë në vota në garën për kryebashkiakun e qytetit.

“Qytetaria është tërhequr, ka marrë pozicione mbrojtëse dhe pritëse. Pothuajse të gjitha partitë nuk e dinë se çfarë do të thotë qytetar durrsak. Një humbje e PD-së me 3600 vota ishte një kambanë shumë e madhe alarmi që duhej të ishte pjesë e një analize të hollësishme. Këtu nuk bëhet fjalë se humbi vetëm kandidati për Kryetar Bashkie, në fakt kjo humbje ka qenë një gjëmë. Nuk e mendoja kurrë një humbje të tillë, pasi nuk ishin 200-300 vota, por plot 3600 vota”. Kështu shprehet gjatë një interviste ish-kryetari i Këshillit të Rrethit, Vaso Papaj, i cili nënvizon se në ato vite të para të demokracisë njerëzit udhëhiqeshin nga idealizmi, gjë që mungon në ditët tona. Për Papajn një problem më vete janë dhe pronat dhe të përndjekurit politikë. Përfaqësuesit e ish-pronarëve dhe të përndjekurve nuk janë më në poste drejtuese. Ndërsa nuk do ta akuzojë askënd për këtë “harresë”, Papaj shprehet se ky është një realitet që konstatohet lehtësisht nga gjithkush.  

Si i kujton Vaso Papaj vitet e para të demokracisë?

Ishte pikërisht ai entuziazëm që manifestoi dëshirën e të gjithë popullit për ndryshim. Më kujtohen në atë kohë figura të tilla si Minush Jero, Artan Hoxha, Vaso Llapa, Edmir Kapidani (i cili e ka drejtuar këtë degë si në kohën kur PD-ja ishte në pushtet, ashtu edhe në periudha të vështira kur ishte në opozitë), etj.

Katër vitet e para kur PD-ja ishte në pushtet unë isha në pozicionin e Kryetarit të Këshillit të Rrethit nga muaji gusht 1992 deri në nëntor të vitit 1996. Në atë periudhë kemi jetuar si në ëndërr. Kemi kryer disa nga reformat më të mëdha, ku të parën do të përmendja atë të ndarjes së tokës. Ndonëse është folur shumë për problemet e ligjit 7501 në atë kohë, në fakt, ne luteshim si pushtet që njerëzit të merrnin tokën. Fshatarët dhe punonjësit e fermave nuk pranonin të merrnin tokën.

Mbaj mend që i ndanim parcelat me polic, pasi hapeshin thashetheme sikur fshatari do të paguante taksën menjëherë, pa pasur infrastrukturën e duhur. Njerëzit që ishin mësuar me kohën e socializmit ku bënin sikur punonin dhe shteti bënte sikur i paguante, ishin dembelosur dhe nuk e kuptonin sistemin e ri që po vinte. Në atë kohë ishte e vështirë nga pikëpamja profesionale të punoje, por ishte dhe e lehtë, pasi nuk mungonte entuziazmi. Në atë kohë kishte shumë idealizëm.

A mendoni se në atë kohë ka pasur më shumë idealizëm sesa sot?

Në atë kohë trysnia e njerëzve të pasur ishte shumë e vogël, për të mos thënë e papërfillshme. Në atë kohë nuk është se mungonin bizneset e mëdha. Mbaj mend se në atë kohë ne ju kemi dhënë leje në KRRT shumicës së biznesmenëve të asaj kohe, të cilët sot nuk i njoh. Më kujtohet se ju kemi dhënë leje ndërtimi Haxhollëve, Hotel Arvit, Aleksit etj.

Tashmë është një situatë tjetër, pasi agresioni i parasë është shumë i madh. Në atë kohë ne trashëguam një shtet pa taksa dhe të ardhurat në Bashki dhe Këshillin e Rrethit ishin tërësisht minimale. Bashkia mezi siguroi një sasi parash për të shtruar rrugën deri te varrezat, sepse rrezikonin të binin të vdekurit nga arkivolet, kur transportoheshin për në banesën e fundit.

Mbaj mend se arritëm të sigurojmë si institucion 50 milionë lekë të vjetra, me të cilat bëmë një ujësjellës nga Porto-Romano deri në Sektor Rinia, pasi fshati i vjetër i internimeve nuk kishte ujë.

Cilat ishin sfidat më të mëdha me të cilat u përballët në atë kohë?

Në atë kohë ishte sfida e madhe e privatizimeve. Kujtoj që kemi privatizuar të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Sjell ndërmend këtu privatizimin e ndërmarrjeve SERA, Bonifikimi, NTLAPI, NTSHANI, Punishtja e Qumështit, NISH Makarona, Ndërmarrja Kimike, NISH Tulla, një pjesë e ORMN-së, një pjesë e UMB-së, Mjetet e Ndërmarrjes së Eksportit, u privatizua Flota me të gjitha anijet tregtare, Peshkimi, NSHN-ja, etj.

Mbetën pa u privatizuar Nish Goma që kishte probleme me ish pronarët, një pjesë e ndërmarrjeve të tregtisë me jashtë që vareshin nga Tirana dhe që kishin magazina këtu. Më pas nisëm privatizimin e ndërmarrjeve të mëdha, por ky proces u ndërpre për shkak të trazirave të vitit 1997.

Një sfidë dhe reformë tjetër e rëndësishme ishte kthimi i pronave. Të gjitha dyqanet e Durrësit që i përkisnin ish-pronarëve iu kthyen të zotëve. Dyqanet që ishin në pallate shtetërore, pavarësisht se kishin tokën me pronar u privatizuan, sipas vendimit të qeverisë, nga ata që punonin aty. Po kështu vazhdoi ndërtimi me ritme të shpejta.

Kujtoj se në fillim biznesi i vogël nisi me kioska. Pavarësisht se për to pati shumë rezerva dhe thashetheme, duke gjykuar nga ajo kohë, mund të them se ishin të domosdoshme për të nisur biznesin e vogël, që më pas do të gjallëronte ekonominë. Është interesante se nga karrocat e qofteve u kalua te kioskat, që pas vitit 1998 shteti i prishi shumë kollaj. Sot ato nuk kanë lënë më gjurmë.

Një sfidë tjetër e rëndësishme ishte dhe studimi i të gjitha tokave në Durrës nga Shkëmbi i Kavajës, Plazhi, Këneta, Porto Romano deri te Gjiri i Lalëzit. Këto studime të realizuara nga studio shqiptare dhe italiane, ishin aprovuar dhe nga KRRT-ja e përgjithshme e Shqipërisë. Ndërtimet e saj kohe janë realizuar sipas planeve rregullues.

Sa e përfaqësuar në vendimmarrje ka qenë dhe sa është aktualisht qytetaria durrsake?

Në atë kohë qytetaria durrsake ishte e përfaqësuar. Mund të përmend si shembull se anëtarë të Këshillit të Rrethit ishin figura të familjeve qytetare të Durrësit si Bilali, Beja, Babameto, Begteshi, Hasho, por dhe nga opozita evidentoj familjen Beqiraj etj. Sot e shikoj qytetarinë të tërhequr dhe nga arsye ekonomike. Qytetaria është e dobët financiarisht, por të dobëtin në këtë kohë nuk e do njeri.

Cila ka qenë “odiseja” e Vaso Papajt në këto vite demokraci?

Duke ju referuar jetës time në këto vite demokraci mund të them me pak fjalë se pas kontributit në zgjedhjet e vitit 1992 u zgjodha Kryetar i Këshillit të Rrethit në korrik të vitit 1992 deri në nëntor të vitit 1996. Më pas, në vitin 1997 u emërova Prefekt në Rrethin e Dibrës, Matit dhe Bulqizës.

Në këtë rreth kalova periudhën e vështirë të vitit 1997, ku unë kryeja detyrën larg familjes që ishte vetëm në ato kohëra të trazuara. Më kujtohet se jetoja në një shtëpi dhomë e kuzhinë, pas stadiumit, me një derë kompesate që gjithkush mund ta shqyente në atë periudhë dhe të hynte brenda.

Për fat, çdo gjë kaloi normalisht, për më tepër që në çdo pozicion që kam qenë kam punuar me ndershmëri. Menjëherë pas krijimit të qeverisë së Fatos Nanos jam pushuar nga puna. Më pas, u ktheva në Durrës dhe qëndrova pa punë, ndonëse pushtetin në Durrës e kishin demokratët. Hapa më pas një dyqan të vogël të trashëguar nga gjyshi, me të cilin jetova deri në vitin 2005.

Pasi kontribuova në zgjedhjet e vitit 2005, ku fituam 8-0 e ku unë isha në detyrën e sekretarit organizativ, më emëruan në pozicionin e Drejtorit të Arsimit. E çuditshme pasi pushteti diktatorial i Enver Hoxhës nuk më dha as të drejtën e profesionit, ndonëse kisha mbaruar për matematikë dhe fati e solli të drejtoja arsimin.

Ndoshta isha një rast unikal në këtë drejtim. Mendoj se ka qenë ndër eksperiencat më të bukura të jetës time, për vetë punën e mirë që u bë në atë periudhë. Më pas erdhi pensioni, por jo ndalimi i aktivitetit tim. U mora me pasionin e vjetër të lexuarin dhe shkrimet. Sot p.sh. kam nxjerrë nga interneti të gjithë poezinë e shkruar në burg nga poeti Havzi Nelaj, që u var nga diktatura në vitin 1988. Ky njeri nuk ka as dhe një monument madhështor në një nga sheshet e Shqipërisë, ndonëse ishte një hero i fjalës së lirë.

Aktualisht kam dërguar një roman në SHBA për ta përkthyer në anglisht, në një kohë që kam botuar romanin “Një dimër mes dimrash“. Kam përkthyer nga italishtja romanin “Ylli i Mëngjesit” të Ada Negrit, kandidate për çmimin Nobel, një përkthim tjetër që është botuar pjesë-pjesë në gazetën tuaj, si dhe kam botuar dy libra me poezi.

A ka mbetur më idealizmi i viteve të para të demokracisë?

Unë vazhdoj të mbetem me idenë se historia nuk duhet harruar. Nëse harron historinë, ke humbur në të njëjtën kohë eksperiencën. Humbja e eksperiencës do të thotë se çdo individ apo grup individësh kur kanë në dorë pushtetin, do të gabojnë patjetër. Ka qenë ky një nga shkaqet e ardhjes së PD-së në pushtet pas vitit 2005.

Në fund të vitit 2004 u bënë analiza në PD dhe doli si domosdoshmëri se nuk duhet harruar eksperienca. Nuk duhen harruar njerëzit me kontribute dhe që kanë eksperiencë në pushtet. Shumë njerëz me eksperiencë u thirrën për t’u bashkuar me PD-në në 2005-ën, fakt që nuk po ndodh aktualisht.

Këtë gjë e treguan fare mirë zgjedhjet e pushtetit lokal. Anëtarët e listave të këshillave bashkiakë aktualisht janë njerëz pa eksperiencë, që nuk mbulojnë fushat e ndryshme të qytetit dhe rrethit. Unë nuk mund ta mendoj Këshillin Bashkiak nëse nuk ka një nga arkitektët më të zotë të qytetit, një nga inxhinierët elektrikë më të zotë, një nga inxhinierët e kanalizimeve të ujërave të zeza, një përfaqësues të rëndësishëm të sektorit të mjekësisë, arsimit dhe kështu me radhë.

Ky pra është harrimi  i eksperiencave. Qytetaria është tërhequr, ka marrë pozicione mbrojtëse dhe pritëse. Pothuajse të gjitha partitë nuk e dinë se çfarë do të thotë qytetar durrsak. Një humbje e PD-së me 3600 vota ishte një kambanë shumë e madhe alarmi që duhej të ishte pjesë e një analize të hollësishme.

Këtu nuk bëhet fjalë se humbi vetëm kandidati për kryetar bashkie, në fakt kjo humbje ka qenë një gjëmë. Nuk e mendoja kurrë një humbje të tillë, pasi nuk ishin 200-300 vota, por plot 3600 vota. Po ta shikosh me kujdes analizën është humbur më shumë brenda në qytet. Një problem më vete janë dhe pronat dhe të përndjekurit politikë.

Përfaqësuesit e ish-pronarëve dhe ish të përndjekurve politikë nuk janë më në poste drejtuese. Nuk e di nëse kjo është me dashje apo pa dashje, por është një realitet.