Shijaku u bë bashkia e parë e dëmtuar nga tërmeti, banorët e së cilës do të përfitojnë grantet e dëmshpërblimit.

Ndërsa në bashki kanë nisur të lidhen kontratat e dëmshpërblimeve për banesat me dëme DS1, DS2 dhe DS3, kryebashkiaku i qytezës së vogël, Elton Arbana, njofton se institucioni i qeverisjes vendore do të jetë i hapur për qytetarët edhe në fundjavë.

Njëkohësisht Arbana u rikujton qytetarëve dokumentet që duhet të kenë me vete në momentin e lidhjes së kontratës.

“Njoftojmë të gjitha familjet që kanë për të aplikuar për dëmshpërblimin nga Programi i Granteve për Rindërtimin e banesës me nivel dëmi DS1, DS2, DS3.

Bashkia e Shijakut është E HAPUR
TË SHTUNËN
TË DIELËN

Mund të paraqiteni për të lidhur kontratën për dëmshpërblimin me një KARTË IDENTITETI dhe një numër LLOGARIE BANKARE për të përfituar nga kjo pagesë”,– shkruan kryebashkiaku Arbana në rrjete sociale.