Ylli i Newcastle United, Dan Burn, është dërguar me urgjencë në spital pas një dëmtimi të fortë të pësuar gjatë derbit të nxehtë ndaj Sunderlandit në “Stadium of Light”. Mbrojtësi 33-vjeçar u detyrua të largohej nga fusha tre minuta para përfundimit të pjesës së parë, pasi u përplas fort me lojtarin e Sunderlandit, Nordi Mukiele. Pas përplasjes, Burn u pa dukshëm i dëmtuar, duke çaluar dhe duke sinjalizuar drejt stolit se kishte vështirësi në frymëmarrje. Sipas raportimeve të Sky Sports, lojtari i kombëtares angleze i bëri me shenjë trajnerit Eddie Howe dhe stafit teknik se nuk po merrte frymë normalisht.
Menjëherë u vendos që ai të transportohej në spital me ambulancë për ekzaminime të mëtejshme, ndërsa ndeshja vazhdoi normalisht.Pas përfundimit të takimit, trajneri i Newcastle, Eddie Howe, konfirmoi lajmin, por pa dhënë shumë detaje, duke shpresuar që dëmtimi të mos jetë serioz.“Është një dëmtim i dhimbshëm për Danin, shumë fatkeq që u detyrua të dalë nga loja. Ai është dërguar në spital për të kontrolluar brinjët, shpresojmë që gjithçka të jetë në rregull,” deklaroi Howe për Sky Sports.
Pas largimit të Burn nga fusha, ai u zëvendësua nga Fabian Schär. Newcastle më pas u mposht nga rivali Sunderland, i cili shënoi golin e fitores në fillim të pjesës së dytë pas një autogoli të Nick Woltemade.Dan Burn ka qenë një element kyç për Newcastle dhe për kombëtaren angleze gjatë këtij sezoni. Deri tani, ai ka regjistruar 22 paraqitje, me një gol dhe tre asistime, duke qenë një nga shtyllat e mbrojtjes së “Magpies”.





