Prokuroria e Durrësit ka ngritur një grup hetimor lidhur me parregullësit dhe shkeljet që janë gjetur në Kadastrën e Durrësit.

Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se në Kadastrën e Durrësit, janë evidentuar dëmtime në regjistrat e pasurive të paluajtshme të regjistruara në zonën bregdetare si Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon.

Kujtojmë se ditë e djeshme kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame deklaroi se në regjistrat e pasurive të paluajtshme të Kadastrës së qytetit bregdetar, kishte parregullësi të mëdha dhe se mungonin disa fletë.

Njoftimi:

PROKURORIA PRANЁ GJYKATЁS SЁ SHKALLЁS SЁ PARЁ
DURRЁS
Datë 01.04.2022

NJOFTIM PER MEDIA

Nisur faktet e bëra publike në media për kontrollin e ushtruar në Kadastrën e Durrësit dhe konstatimin e dëmtimeve në regjistrat e pasurive të paluajtshme të regjistruara në zonën bregdetare të Durrësit si Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon, etj. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës ka regjistruar procedimin penal nr. 582, datë 01.04.2022 për veprat penale të parashikuara nga nenet 186 e 248 te Kodit Penal.

Me urdhër të drejtueses së prokurorisë është krijuar një grup hetimor i përbërë nga prokurore dhe oficerë të policisë gjyqësore për hetimin e plotë të çështjes.