Rreth 120 leje ndërtimi të përshpejtuara janë dhënë nga Bashkia e Durrësit për riparimin e godinave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Megjithëse prej një muaji vendi ndodhet në izolim për shkak të pandemisë COVID 19, drejtoria e Urbanistikës në bashki ka vijuar punën normalisht.
Nënkryetari i bashkisë së Durrësit, Florian Tahiri, shprehet se administrata e bashkisë ka punuar me orar të plotë për t’i shërbyer qytetarëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.
Bashkia e Durrësit është në pritje të dokumentacionit përfundimtar për godinat e klasifikuara me dëmtime DS4 dhe DS5, të cilat po shqyrtohen nga Instituti i Ndërtimit. Ndërkohë, përsa i përket bonusit të qirasë rreth 4000 prej qytetarë po i marrin këstet rregullisht. Tahiri pranon se kohët e fundit ka pasur vonesa në kalimin e subvencionimit të qirasë në llogaritë bankare të qytetarëve, pasi bankat punojnë me orar të reduktuar.
Këshilli bashkiak i Durrësit ka miratuar tre lista me familjet që përfitojnë bonusin e qirasë. Në dy listat e para ishin përfituese 3863 familje, ndërkohë nga lista e miratuar në muajin shkurt përfitonin 1588 familje të tjera.
Rreth 1500 aplikantë ende nuk kanë marrë asnjë këst qiraje, pasi 420 janë skualifikuar përfundimisht duke qene se banesat e tyre kanë dalë të banueshme, ndërsa 1070 të tjerë kanë mangësi në dokumentacionin e dorëzuar në bashki.
K.H.





