Dëmtimeve nga tërmeti 5.8 ballë i së shtunës nuk i ka shpëtuar as mbikalimi i ndërtuar në zonën e Shkozetit, investim i Fondit Saudit për Zhvillim.

Fotot e publikuara në rrjete sociale nga një qytetar i Durrësit dëshmojnë dëmtimet që ka pësuar kjo vepër e rëndësishme infrastrukturore, punimet e së cilës përfunduan në mars 2015.

Mbikalimi me vlerë 6.7 milionë euro u ndërtua tek rrethrrotullimi i Shkozetit dhe lidh autostradën Tiranë-Durrës me unazën e Durrësit.

Për herë të fundit, Bypass-i Durrësit u vizitua nga ish-drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato dhe një delegacion i nivelit të lartë saudit në korrik të këtij viti.

Si pasojë e tërmetit të frikshëm të së shtunës, në Durrës 82 banesa dhe 1 pallat janë shpallur të pabanueshëm, ndërsa 111 banesa kanë dëmtime të rënda.