Berat Gjimshiti është detyruar të largohet nga fusha në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Milanit, pas një goditjeje të fortë në kavilje që e pengoi të vazhdonte lojën. Trajneri Gian Piero Gasperini u detyrua të ndërhynte menjëherë duke e zëvendësuar mbrojtësin shqiptar.

Sipas mediave italiane, ekziston shqetësimi se Gjimshiti mund të mos jetë në formë të plotë për ndeshjet e fundit të sezonit, në një moment kur Atalanta është në garë të ngushtë për një vend në Ligën e Kampioneve.

Mbrojtësi pritet të pushojë në ndeshjen e radhës ndaj Leçes, pasi stafi mjekësor dhe teknik nuk dëshirojnë të rrezikojnë përkeqësimin e gjendjes së tij, në prag të sfidave më të vështira që e presin ekipin bergamask.

Gjendja fizike e Gjimshitit është gjithashtu një pikë kyçe edhe për Kombëtaren shqiptare, e cila do të përballet në qershor me Serbinë dhe Letoninë në ndeshje vendimtare për kualifikueset. Rikuperimi i plotë i kapitenit të kuqezinjve në kohë do të ishte një lajm i mirëpritur për trajnerin Sylvinho dhe gjithë ekipin.