TIRANË-Ministri e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka reaguar sot mbi dëmtimin e afreskeve të Onufrit duke vënë në dukje se nuk mund të monitorojë 24 në 24 orë veprat e kulturës. Me anë të një njoftimi për shtyp, Ministria bëri të ditur se pas njoftimit nga ana e Kishës Ortodokse, dikasteri ka ndihmuar në ngritjen e strukturave të posaçme për monitorimin e situatës.
“Në datën 2 Janar 2013 Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve është njoftuar nga ana e kishës Ortodokse për dhunimin e Kishës së Shën e Premtes në fshatin Valsh në datë 30 duke u gdhirë 31 Dhjetor. Kjo kishë është një Monument Kulture i Kategorisë së Parë shpallur si e tillë nga Rektorati Universitar Shteteror me vendimin Nr. 6 te dates 15.01.1963.
Nga Policia e Elbasanit jemi bërë me dije se dosja menjëherë i ka kaluar Prokurorisë. Në këtë moment në zbatim të V.K.M Nr.917, datë 28.12.2011 për miratimin e planveprimit kombëtar "për parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të veprave të artit e të kulturës" në bashkëpunim të plotë me të gjitha organet që kanë kompetenca të ndara brenda rrethit Elbasan ngritëm nje Tryeze Teknike të posacme për monitorimin e ngjarjes. Kjo tryezë e kryesuar nga Prefekti i Qarkut Elbasan ka në përbërje të saj, ekspertë policie, të Sherbimit Informativ Kombëtar, Eksperte Monumentesh, përfaqesues nga pushteti lokal dhe nga përfaqesues të komunitetit. Ky komitet i posacëm është në monitorim të plotë të situatës”.
Po kështu Ministria vë në dukje se një ekip i Ministrisë shkoi dhe në Valsh dhe mori kontakt me përfaqësuesin e Kishës Ortodokse të zones së Komunes se Gjinarit dhe me Policinë e Rrethit Elbasan. “Kjo e fundit më datë 1 Janar ka vajtur në vendngjarje duke bërë dhe veprimet përkatëse dhe duke nisur një hetim mbi ngjarjen. Në daten 3 Janar një përfaqësi e ministrisë dhe kishës ortodokse ka vajtur në vendgjarje dhe ka konstatuar dëmin e këtij akti vandal”.
Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve shton se pasi janë bërë të gjitha veprimet, dhe pasi është mbajtur një relacion teknik mbi dëmtimin grupi ka siguruar derën me duke e mbyllur atë me dy kyce dhe është larguar për t’u kthyer në një moment më të vonë. Duke qenë se ky veprim ka qenë një skenë krimi dhe duke qenë se ngjarja ka qenë në hetim e sipër Ministria i ka krijuar të gjithë hapësirat e duhura policisë për ndjekjen e saj.
Muret e kishës janë te pikturuara nga Onufri në vitin 1554 dhe pasqyrojnë skena te ndryshme biblike.
Ministria e Kulturës bën me dije se në sajë të organizmave të saj administron shumë monumente kulture, por thekson se disa duhet të ruhen jo vetëm prej dikasterit, por edhe prej komunitetit.
“MTKRS bën me dije opinionin publik se ajo administron një territor të madh dhe një pasuri të madhe të trashëgimisë materiale. Ajo në sajë të organizmave të saj ruan dhe administron nga afër Parqe Arkeologjike, Muzeume, monumente etj. Duke qenë se numri i monumenteve të kultit është tepër i madh do të ishte praktikisht e pamundur të survejoheshin 24 orë në 24 të gjitha këto monumente sic është sugjeruar nga disa këto ditët e fundit. Kjo do të kërkonte një numër shumë të madh njerëzish dhe një infrastrukturë të posacme. Si në rastin e Kishës së Valshit e cila përdoret nga komuniteti i besimtareve për të kryer ritet e tyre, përgjegjësia e ruajtjes dhe përkujdesjes se këtyre monumenteve është sa shtetërore po aq edhe e komunitetit”, citoni Ministria e Kulturës me anë të një njoftimi për shtyp.
Dëmtimet
Ministria e Kulturës njofton se nga inspektimi është konstatuar se:-Afresku është dëmtuar, goditur, prerë dhe shkulur në mënyrë të dhunshme dhe mekanike nga mjete të forta dhe persona të pa ndërgjegjshem dhe të pa informuar mbi procesin e shkuljes apo heqjes se një pikture murale.
–Grabitja është bërë e fragmentuar dhe e fokusuar në pjesët e portreteve të shenjtëve kryesore të ikonografisë biblike.
–Në tentativë për t’u vjedhur, por në pamundësi për t’u shkulur ka qenë portreti tek figura e Shën Mërisë me Krishtin tek altari, portreti i figures se Shën e Premtes (i cili eshte shenjti te cilit i eshte dedikuar kisha), shkrime të ndodhura në pjesën e brendshme të altarit (ndër to është shkruajtur emri i piktorit të kishes Onufri), figura mbi nike, pjesë të portretit të dëmtuar të një shenjti në të majtë të absides (portreti i te cilit është dëmtuar gjatë shkuljes dhe është lënë i fragmentuar në kishë.
–Grabitja dhe humbja e këtyre fragmenteve të rëndësishme e ka dëmtuar pikturën nga ana artistike, vizuale, duke bërë të pakthyeshëm dëmin e kësaj pasurie të trashëgimisë kombëtare.
Investimet në objekte kulturore
MTKRS ka investuar vetëm gjatë vitit 2012 në 9 (nëntë) objekte kisha dhe manastire monumente kulture në kuadër të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve vlerën e 27.6 milionë lekë. Ministria thekson se këto fonde i janë dhënë njësive të qeverisjes vendore, pikërisht për të përforcuar lidhjen mes objekteve të trashëgimisë dhe njësive vendore e komunitetit të tyre. Investimet janë shtrirë në qarkun Fier, Gjirokastër, Korçë, Vlorë dhe Sarandë.