Një pjesë e Murit të Madh të Kinës është dëmtuar rëndë nga dy punëtorë, të cilët e gërmuan për të krijuar një rrugë të shkurtër.

Policia ka deklaruar se është ndaluar një burr 38 vjeç dhe një grua 55 vjeçe që po punonin pranë zonës së prekur, ndërsa kanë nisur hetimet menjëherë.

Të dyshuarit po kryenin punime në provincën qendrore Shanxi dhe kanë zgjeruar një zgavër ekzistuese të Murit të Madh që ekskavatori i tyre të mund të kalonte përmes tij.

Në këtë mënyrë ata shkurtonin distancën që duhet të përshkonin, kanë shpjeguar autoritetet, duke theksuar se dëmi I shkaktuar është i pandreqshëm në integritetin e Murit të Madh Ming dhe në sigurinë e relikeve kulturore.

Oficerët u njoftuan për dëmtimin më 24 gusht, pasi morën njoftime se kishte një boshllëk të madh në mur.

E vendosur në qarkun Youyu, Muri i Madh i 32-të është një pjesë e Murit të Madh Ming dhe kategorizohet si një vend historik dhe kulturor, i cili mbrohet në nivel provincial.

Muri Kinez, një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s që nga viti 1987, u ndërtua dhe u rindërtua në mënyrë të vazhdueshme nga rreth viteve 220 para Krishtit deri në Dinastinë Ming në vitet 1600, kur ishte struktura më e madhe ushtarake në botë.

Pjesa më e madhe e asaj që vizitorët shohin sot është ndërtuar gjatë Dinastisë Ming, e cila quhet Muri i Madh Ming.

Disa pjesë të murit janë dëmtuar ose shembur gjatë viteve, veçanërisht në zonat e thella rurale.

Një raport i vitit 2016 sugjeroi se më shumë se 30% e Murit të Madh Ming është zhdukur plotësisht, dhe vetëm 8% e tij konsiderohet i ruajtur mirë.