Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur se, aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi për vitin 2024 u mbyllën me 403 fermerë aplikues.
Denaj tha se fermerët dhe subjektet rurale iu drejtuan skemës duke synuar zhvillimin e mëtejshëm të aktivitetit bujqësor e blegtoral.
Sipas saj, procesi i vlerësimit administrativ të aplikimeve vijon nga AZHBR për t’i dhënë përgjigje të shpejtë dhe konkrete të gjithë fermerëve që plotësojnë kushtet e aplikimit.
Në Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi, fermerët aplikuan për një nga pesë masat mbështetëse: Ndërtimi i serrave të reja diellore, instalimi i rrjetave antibreshër, ndërtimi i stallave, mekanizimi i bujqësisë, kosha e rrjeta për akuakulturë dhe në stabilimentet e mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve.
Fondi në dispozicion të Skemës Kombëtare të Investimeve në Bujqësi, është 1.5 miliardë lekë, me shtrirje 2-vjeçare.
Për vitin e parë janë në dispozicion të financimit grant për fermerët dhe subjektet, 500 milionë lekë.
Skema e Investimeve financon grant 50% të investimit për aplikantët fitues, për një nga pesë masat mbështetëse.
Ndërkohë që 30% e totalit të grantit do të jepet në fillim si parapagim. Sipas saj, rreth 75% e aplikimeve ishin për mekanikë bujqësore, për blerje makinerish dhe traktorësh
Që prej 30 shtatorit deri më 8 nëntor 2024, fermerët dhe subjektet rurale, aplikuan për të përfituar nga Skema Kombëtare e Investimeve në Bujqësi 2024, që adreson mbështetje për zhvillimin e bujqësisë dhe për të gjithë fermerët që duan të investojnë.