Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, ftoi të rinjtë të zgjedhin të studiojnë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, që ofron shumë degë, që garantojnë një treg pune të qëndrueshëm.

“Universiteti Bujqësor i Tiranës ofron një gamë të gjerë mundësish për të rinjtë, duke përfshirë programe të reja, programe në gjuhë të huaj, diploma të dyfishta dhe shumë degë që garantojnë një treg pune të qëndrueshëm”, tha Denaj.

Sipas saj, me standardet e Universitetit BOKU të Vjenës, transformimi i UBT hap një horizont të ri për të rinjtë që do të zgjedhin të ndjekin fushat e shumta si agronomi, mjedis, blegtori, akuakulturë, mbrojtje bimësh, bioteknologji, teknologji agroushqimore, veterinari e shumë të tjera.

Gjithashtu vuri në dukje ministrja, laboratorët sipas standardeve ndërkombëtare ISO sigurojnë një edukim cilësor dhe praktik.

Ajo ftoi të rinjtë të aplikojnë në u-albania deri më 4 gusht, që siç tha ajo “për të filluar një udhëtim drejt një karriere të suksesshme në fushën e bujqësisë dhe shkencave të lidhura”.