30nëntor 2015 – Gjykata Kushtetuese nuk i fali prostitutat nga dënimi me burg. Neni 113 i Kodit Penal mbetet në fuqi. Në interpretimin e saj, Kushtetuesja nuk pranoi ta ndajë prostitutën e shfrytëzuar nga tutori shfrytëzues.

Gjykata e Lartë kishte kërkuar disa kohë më parë shfuqizimin e paragrafit të parë të nenit 113 të Kodit Penal, që parashikon dënimin nga gjobë deri në 3 vjet burg për çdo person që ushtron prostitucion, si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Për Gjykatën Kushtetuese, kërkesa është e pabazuar, pasi neni në fjalë nuk cenon barazinë gjinore. “Neni 113 i KP-së nuk përmban diferencim në përcaktimin ligjor, pasi dënon autorët e prostitucionit, që mund të jenë femra ose meshkuj. Për më tepër, dispozita dënon subjektet, kategorinë e meshkujve/femrave që ushtrojnë prostitucion me vullnet të lirë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shkruan lapsi.

Më tej, Kushtetuesja arsyeton se “asnjë nga palët në gjykim nuk paraqiti të dhëna për të argumentuar se viktimat e prostitucionit mbrohen më mirë me dekriminalizimin e kësaj vepre penale ose me përcaktimin e kësaj vepre si kundërvajtje administrative”.

/portal DurrësLajm/