Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka marrë vendime të ashpra ndaj disa klubeve dhe zyrtarëve të tyre, pas incidenteve në ndeshje të ndryshme.

Presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima, është dënuar me 1 vit pezullim nga të gjitha aktivitetet për hyrjen në fushë dhe kërcënimin ndaj arbitrit. Ai nuk do të ketë të drejtë të hyjë në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumeve deri në përfundim të dënimit.

Ndërkohë, një tjetër ndëshkim i rëndë ka prekur edhe presidentin e Bylisit, Besnik Kapllanaj, i cili është dënuar me 4 ndeshje pezullim për ofendime ndaj gjyqtarëve në ndeshjen kundër Tiranës në Kategorinë Superiore.

Lista e dënimeve të tjera:
• KF Teuta: Paralajmërohet për shkelje të rregulloreve të stërvitjes në stadiumin “Niko Dovana”.
• KF Egnatia & KF Vllaznia: Gjoba prej 50.000 lekësh për sjellje të gabuar të tifozëve.
• KF Bylis: Gjobë prej 100.000 lekësh për vonesa gjatë ndeshjes.
• FK Apolonia Femra: Gjobë prej 200.000 lekësh për mungesë sigurie në ndeshje.
• Maringlen Kule (FK Apolonia Femra): 8 ndeshje pezullim për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.
• Kiri Mundija (FK Apolonia): 1 vit pezullim, njësoj si Kokëdhima, për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes.
• KF Bylis U-17 Femra, KF Shkumbini U-19 & KF Turbina U-19: Gjoba 100.000 lekë dhe humbje e ndeshjes në tavolinë për braktisjen e takimeve respektive.
• Agudelo Gaviria Juan Diego (KF Devolli): 3 ndeshje pezullim për provokim ndaj tifozëve.

FSHF ka paralajmëruar se do të vazhdojë të marrë masa të rrepta për të garantuar disiplinën dhe respektimin e rregullave në futbollin shqiptar.