Gazetarja Klodiana Lala ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me dënimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’, Lala tha se Tahiri edhe mund të flasë, duke fundosur kështu sipas saj emra të tjerë politikanësh të rëndësishëm. Sipas gazetares, Tahiri nuk duhet të jetë i vetëm në qeli, pasi të tjerë emra mund të jenë të përfshirë.
“Dosja Tahiri nuk është çështje SPAK, por dosje e vjetër. Tahiri ka një hetim për shpërdorim detyre. Tahiri nuk duhet të jetë i vetëm në qeli. pasi ku është drejtori i policisë? Ku janë ministrat e tjerë të linjës? A ka pasur dijeni kryeministri i vendit për kanabizimin? Nëse Tahiri ka lejuar përhapjen e kanabizimit, ne kemi qenë dëshmitar që ka pasur masivizim të kësaj situate, por a ishte përgjegjës Tahiri? Drejtësia është e vonuar në këtë drejtim. A kemi ministra të tjerë që kanë shpërdoruar? Patjetër! Beqja, apo dhe ish-ministri Koka. Unë mendoj se Saimir Tahiri duhet të flasë dhe të tregojë për përgjegjësit, që të shkojnë pas hekurave. E tha dhe zoti Haxhiaj se disa politikanë duhet të vishen trashë në dimër. Ndaj edhe Tahiri mund të flasë. Zoti Haxhiaj e la të nënkuptohej se Tahiri edhe mund të flasë. Nëse Tahiri flet, unë mendoj se lajmi i arrestimit të tij ka lënë pa gjumë shumë politikanë dhe shumë personazhe të tjerë. Saimir Tahiri nuk flet për një çantë të zezë hipotetike, por fundos shumë veta. Mbetet për t’u parë nëse ai do të tregojë apo jo për kohën kur ai ishte ministër kampion”, tha Lala.
Ndër të tjera Lala tha se rekursi në Gjykatën e Lartë do të kërkojë kohë që të shqyrtojë çështjen.
“Unë mendoj se Gjykata e Lartë do dojë kohë të shqyrtojë rekursin dhe mund të ndodhë të përfundojnë dënimin edhe para se kjo Gjykatë ta nxjerrë vendimin. Besoj se pas 7 apo 8 muajsh mund të jemi bashkë për të folur. Theksi im është ky a është i vetëm Tahiri, padiskutim që jo! Nëse nuk është i vetmi person përgjegjës, do të duhet që Tahiri duhet të shkonte deri te vepra penale e trafikut të drogës, nëse është provuar lidhja me Habilajt.”, përfundoi Lala.