Nga Aleksandër Cangonja

Më poshtë po publikoj një dëshmi interesante të Kol Lakut, atentatorit të Idhomeno Kosturit i cili tregon para autoriteteve policore të gjithë karrierën e tij të “Lavdishme” si komunist në qytetin e Durrësit.

Mëngjesi i datës 5 nëntor 1943 në Durrës do përgjakej nga një atentat i cili do i merte jetën një figure me kontribute të mëdha kombëtare, ai do ishte Idhomeno Kosturi i cili ishte dënuar me vdekje nga komunistët e qytetit të Durrësit.

Idhomeno Kosturi ishte nga qyteti i Korcës ku ishte larguar herët prej vendlindjes dhe qe vendosur në Durrës. Ai bënte pjesë tek tregtarët e mëdhenj jo vetëm të qytetit por të gjithë Shqipërisë. Gjithashtu Kosturi njihej si filantrop dhe bamirës në komunitetin durrsak. Ai qe i pa angazhuar në politikën aktive për një kohë të gjatë që prej vitit 1924 si zv.kryeministër në qeverinë e kryesuar nga Fan Noli dhe më pas u mor kryesisht me bizneset tija. Në kapitullimin e Italisë fashiste dhe ardhjen e trupave Gjermane në territorin shqiptar Idhomeno Kosturi mer pjesë në zgjedhjet e 1 tetorit 1943 ku zgjidhet dhe deputet i Korçës. Më 25 tetor 1943 zgjidhet kryetar i Kuvendit Kushtetues Kombëtar Shqiptar dhe e mban këtë detyrë deri në ditën e vdekjes më 5 nentor 1943.
Por rikthimi i tij në politikën aktive i shqetësoi komunistët e qytetit të Durrësit të cilët kishin filluar me aksionet e tyre guerrilase duke bërë një sërë atentatesh, vlen për të përmendur rastin e Av.Hysen Myshketës të cilin i zunë pritë në një nga rrugët e Durrësit duke e qëlluar dhe shkaktuar plagë të rënda që pas disa ditësh do i sillnin dhe vdekjen atij. Po ashtu aksion tjetër i komunistëve të Durrësit ishte dhe vrasja e arsimtarit Qemal Mici i cili kishte mbaruar studimet në shkollën teknike “Harry Fultz” për arsimtar, faji i tij i vetëm qe se ishte kundëndërshtar i ideve politike të komunistëve prandaj qarkori i qytetit urdhëroji ekzekutimin e tij.
Pra këto vrasje kishin filluar të terrorizonin qytetin por vrasja e Kosturit do të kishte impakt më të gjërë, prandaj qarkori i Durrësit urdhëroji vrasjen e tij. Përsipër këtë e mori Kol Jovan Laku i cili vinte nga shtresa puntore. Ai ishte një i ri i cili kishte spikatur dhe në aksionet e tjera të kryera nga komunistët, gjithashtu Laku ishte arrestuar dhe në demostratën 12 prillit 1942.
Kol Laku u ngarkua që në mëngjesin e 5 nëntorit do kryente atentatin, ai prit momentin që Idhomeno Kosturi do dilte nga banesa e tij në bulevardin tregtar të Durrësit dhe do e qëllonte me një plumb në kokë që do i sillte vdekjen e menjëhershme Kryetarit të kuvendit.
Gjithsesi nuk do kalonin shumë kohë dhe në muajin shkurt vitit 1944, Kol Laku do arrestohej në një operacion të forcave gjermane të Gestapos dhe atyre te Ballit në zonën e Shijakut. Ai do dërgohej menjëherë në gjykim dhe në sajë të hetimeve Gjykata Posaçme për Faje Politike do e dënonte Kol Jovan Lakun me varje në litar për kryerjen e veprave terroriste në popullate. Edhe pse ai do e pranonte fajin dhe do kërkonte faljen e jetës ai do varej në sheshin përpara ish godinës së bashkisë së Tiranës (sot muzeu kombëtar).
Në mars të vitit 1944 kryeministri Rexhep Mitrovica do i dërgonte shkresën Këshilliti të lartë dublikatën e shkresës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Xhafer Devës dhe kopjen e vendimit të Gjykatës së Posaçme për Faje Politike “mbi dënimin me vdekje të quajtunit Kol Laku si edhe lutjen për falje të paraqitun prej të dënuemit”

Dëshmia e Kol Lakut e dhënë në hetuesi mbi vrasjen e Idhomeno Kosturit.

Proçes-Verbal
Kontra
Z.Kol Laku i biri i Jovanit dhe i Diles lindun ne Durres me 25/4/1922, puntuer ne Shoqnin Stamles ne Durres.
Deklaron
Une Kol Laku pershkruej jeten t’eme te zhvillueme ne Partin Komuniste tue fillue çprej jetes t’eme te çrregullueme: Pijsha raki, lujsha bixhos me nji fjal isha ne rrugen e aventurizmit. Ne fillim te vjetit 1943 u ba nji demostrat ne Durres ne te cillen mora pjese vullnetarisht me turmen e djelis qe thirrte: posht Fashizmi, posht Mustafa Kruja. Prej kesaj demostrate u shkaktue qe une te kapem ne burg, ku ndejta tre muaj. Ne burg Shpend Deda dje Sekdom qe te dy Kosovare na mbajshin konferenca ne burg, gjithashtu dhe Meco, arab na fliste per komunizmin. Kryetar i te burgosunve komunista ishte Shpend Deda. Mbasi plotsova tre muej burg u liruesh. Po sa dola prej burgut vendin e gjeta ate gatshme ne Shoqnin Stamles ku sherbejshin po thuej si mbas dishires s’one. Ne kohen e mbramjes merrshim topin dhe shkojshim ne fushen e sportit per te luejt fotball. Mbas loje na mblidhte Hysen Qosja nga Kruja vjec 20-21 i gjate e i holle dhe na fliste per te qene te bashkuem qe te luftojme fashizmin, kurse ma vone na ftoj per ne shtepija dhe na nepte komunikatar e partis komuniste dhe njikohesisht na fliste per komunizem. Gjithashtu na urdhenoje qe te mblidhshim ndihma ne fabriken Stamles, dhe njikohesisht grupi i jone prej tete vetesh qe e quente celule e stamlesit do te nepte edhe ajo ndihme per cdo jave. Celulja e jone ishte e perbame sic thash prej tete vetesh dhe keta jane: une, Mustafa Hilmiu, Sali Beba, Kozma Trifoni, Latif Thermija, Haxhi Kacani, Daut Kavaja, Ymer Muhaxhiri. Mbasi filluem te ndajme komunikate ne fabrike celulen t’one e muer ne dore Enver Velja, ky vashdonte pune e Hysen Qoses tue na mbledhun here ne shtepin t’eme here ne shtepijat e shokvet te tjere. Dhandri i em kishte nevoje per disa te holla qe te hapte nji dyqan atehere vendosa me dale prej stamlesit me qe merrshe nji shperblim te njihershem. Puna tregtare me dhandrin nuk na heci mbare prandaj hyna prap Stamles. Ne gjysmen e vitit 1943 koloneli italian dyshoje ne mue dhe me thtiu ne burg. Prej Durresit me cuen ne Burrel ne fushe te perqendrimit, ku ndejta 5 muej. Me kapitullimin e italis duelem prej burgu dhe u aratisem me gjith milicet. Me qe e pash se mund te me vritshin ne lufte u ktheva dhe shkova ne shtepin t’eme. Stamlesi i kishte gjithnji dyeret e celun per ne, hyna prap ne Stamles, ku fillova prap pune e komunizmit po me shoket e pare. Nanen e kisha ne Kavaje, me kete pretekst qe gjoja po shkoja prane nanes s’eme Enver Velja me nepte topa komunikatash per t’i cue ne Kavaje. Ne Kavaje ua dorezojsha Kryetarit te Rinise se Kavajes Petro Takos, vjec 22-23 i mesem. Ne Kavaje kam qene njoft me Safet Kurtin nga Kavaja biond vjec 22 i shendosh i gjate. Nji dite na u paraqit ne menyre brutale Safet Kurti dhe me dha mue nji revolver dhe nji tjeter revolver Petro Takos dhe na urdhenoje qe te shkojshim qe te tre me vra Ceka Beun nga Kavaja. Ceka Beut i delem perpara ne Pazar qe t’a shtjeshim ne karroce dhe t’a cojshim ke millini ku na priste Safet Kurti. Une bashke me Petron nuk mujtem qe ta merrshim me zorr, mbas pak minutash vjen edhe Safeti vete dhe kap per krahi Ceka Beun per me e shtie ne karroce. Ne karroce na tha Safeti se po te tentojeme hik vritnja. Po sa shkuem ke mullini Ceka Beu zbriti nga karroca dhe ne te tre shtiem kontra tij dhe me duket se e plagosem, atehere Safeti i u avit dhe e vrau me doren e vet. Te tre shkruem ne kafen e Sul Pecenit (Kavaje). Safeti gerthiti tekstualisht “Ai qe shkon ne zhenazen e Ceka Beut i ka keq punet me mue”. Mbasi kreva krimin e pare ne Kavaje shkova ne Durres, ku vashdova prap per cue traktet dhe revistat e partis Komuniste ne Kavaje. Nji dite me kap Enver Velja dhe me thote qe urdheni i Partis ashtu qe te hyejsh ne grupin e guerriljes te Durresit. E pranova mbasi me kercenonte. Atehere dola prej celules se pare dhe hyna ne grupin e guerriljes. Ne kete grup guerrilje ishte : Une, Ymer Muhaxhiri vjec 22 internue ne Manastir, Teufik Skilja internue ne Manastir, Xhemal Kasa nga Durresi 22 vjec internue ne Manastir, Halil Struga vjec 22 i gjate iholle banuen ne Shijak kafe ke kater rruget, Hasan (Sane) Qosja nga Kruja vllai i Hysen Qoses 17 vjec. Grupi jone terrorist i perbame prej 6 vetesh u kryesonte prej Vlash Priftit, vjec 22 i shkurten komisionar. Tashtu Vlash Prifti rrine ne kafen e Vlash Tatit ne Tirane afer Cinema Beshirit, kjo kafe asht karshi Cinemas, kafexhiu e njeh mire, Vlashi ka floke te zezea te shkurta. Kryetari i terrorit Vlash Priftin na mblidhte dhe na thonte se na ka dergue partija qe te fillojme me vra e me shtue tmerre ne popull. Ne e pranuem. I tham Vlashit se na zen gjaku, na u pergjegj se nuk iu zen gjaku. Mesimet e atentatit na i nepte Vlash Prifti. Mesimi ishte ky: me i ra mbas koke dhe pastaj me i shtie ne trup, me hec ngadale qe mos te kuptohet vrasja nga hikja me te shpejte. N/Kryetar i grupit terrorisht ishte Teufik Skilja. Per te paren here shoku i jone Teufik Skilja vrau policin e Bashkis se Durresit emrin e cillit nuk e dij.
Vrasja e Patriotit Idhome Kosturi
Une tue shkue per ne shtepi me del perpara zavendesi i Vlashit qe ishte Teufik Skilja dhe me thote “ti bashke me Xhemal Kasen te vini me mue se po sa ka ardhe nga Tirana Idhome Kosturi. Do t’a vrasim, po shpejte “Mue me caktoje qe ta vritsha dhe t’i bijsha der sa t’a lejsha te vdekun Idhome Kosturi u gjindte ne shtepi, une e ruajsha qe te dilte. Shtepin e kishte ne Bulevard karshi Mihal Tatit. Po sa duel prej shtepije i shkova mbrapa dhe i gjuejta mbrapa koke nji here te vetme, N/Kryetari Teufik me kishte thane qe t’i bijha 4 ose 5 here. Nji plumb mjaftoje qe t’a hudhi ne toke, dhe une hika me te shpejte ne shtepin e Teufik Skiljes per te dorezue revolen Teufikut, ne shtepi gjeta Teufikun bashke me Xhemal Kasen. MbAS VRASJES SE Idhome Kosturit vashduem prap mbledhjet t’ona per t’u mesue ne vrasje. Ne mbledhjet e ma vonshme na mesuen se atentatet duhet te bahen ku ka shume rruga dhe ku nuk ka shum popull. Xhemal Kasa plagosi mesuesin e Kavajes Qemal Mici ne keto minuta Ahmet Remzoti (internue) me dha patllaken dhe me lajmeroje qe mesuesi nuk kishte vdek, prandaj na patllaken dhe shko e bieri edhe njihere. Une shkov dhe e gjeta gjalle, atehere largova popullin dhe e vrava. Patllaken ia dhash prap Ahmet Remzotit. Prej ketyne vrasjeve qe bana u trondita dhe i thash Vlash Priftit se jam i semund, Vlashi me dha leje tri kater dite qe te rrija ne pushim. Mbas pak ditesh shkova ne Kavaje, ne kete kohe u rrethue Durresi nga fuqit nacionaliste. Mbasi kisha frike shkova ne Tirane, prej ku nisa per ne ceten me anen e Vangjel ….. me e pa e njof, i trahshe, i mesem, Vangjeli asht kryetar guerrilje ne Tirane. Bashke me nji far Agim shkuen ne ceten e Haxhi Seserit qe u bante prej 60 vetesh. Ne kete vete nuk u fliste gja tjeter vecse per Titon dhe per Stalinin. Mbasi e pashe keshtu vendosa me hikun. Kur isha largue prej cetes me thane shoket e cetes se ceta kishte ra ne luftim me kosovaret dhe ishin vra tete prej shokve te cetes dhe se ceta ishte shpartallue shum keq. Shtoj se ne Durres i kam dale perpara djaloshit te Ballit Kombetar Mustafa Xhumrri qe mos te guzonte me na nda traktet e Ballit. Gjithshtu shtoj se Niko Nishi e dij qe ashtu nji nga Kryetaret e Partis me djalerin e Durresit ky rrinte po me Enver Veljen. Mbasi ardha prej Cete i kerkova Vangjelit dhe Vlash Priftit qe te me ndihmojshin pse kisha mbet shum keq. Keta jo vetem se sme dhane kurgja po dhe me perbuzen. Vendosa qe t’u stabilizojsha ne Shijak per te qene larg friges se Kryeqyteit mire po ketu me diktuen forcat e Ballit dhe me arrestuen i deklarova se une kisha mendje me i u dorezue Xhemal Gjergjit.
Ky proces verbal i perbam prej dy faqes dhe prej njiqin e trembedhete (113) rrjeshta u tha tekstualisht prej meje dhe u firmos prej meje.
Shijak me 19/II/1944
I burgosuni: Kol Jovan Laku