12 maj 2015 –Një banor italian i Rexhio Emiljas (Reggio Emilia), gjen në kasetën postare 2 telefona celularë dhe i dorëzon në karabinieri, me qëllimin e mirë që t’u kthehen pronarit, që i ka humbur.
Karabinierët hetojnë dhe u rezulton që kartat SIM të telefonave u përkasin personave inekzistentë. Për më tepër, që në një mesazh rezulton, që pronari i telefonave i ka marrë një miku makinën për një punë dhe është gjobitur nga policia për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Në telefona gjenden mjaft mesazhe, me të cilat pronari i telefonave komunikonte me klientët e vet për çmimet, llojet dhe sasitë e drogave, që u furnizonte.
Pasi e identifikuan pronarin e celularëve, Denis Dokën 20 vjeç, me leje qëndrimi të rregullt në Itali, karabinerët e arrestuan për shpërndarje droge. Nëse Denisi nuk do kishte harruar 2 telefonat në kasetën postare, sot nuk do të ishte në burg, me një fjalë e morrën në qafë celularët.
/Gj.Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/