Mbetet në fuqi dënimi prej 4 muajsh burg për Denis Shtrazën, i akuzuar për veprën penale “Prishje të rendit dhe qetësisë publike”në bashkëpunim.
Shtraza aktualisht ndodhet në burgun e Tiranës, i dyshuar si një nga 4 personat që rrëmbyen dhe vranë 34-vjeçarin Gazmend Çollakun më 6 janar të 2016-s.
Ndërkohë që ai ndodhet në ambientet e IEVP-së Tiranë në lidhje me çështjen Çollaku, Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës, i komunikuan në burg Vendimin Penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.
Policia informon se “Gjykata e Shkallës së Parë Durrës me Vendimin Penal Nr. 668, datë 13.07.2015, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Durrës me Vendimin Nr. 644, datë 29.09.2016, e ka dënuar me 4 muaj burg për veprën penale “Prishje të rendit dhe qetësisë publike”në bashkëpunim”.
Kjo ngjarje ka ndodhur në prill të 2014-s, kur 4 të rinj nga Durrësi, njëri prej të cilëve edhe Shtraza, nën efektin e alkoolit kanë shkatërruar një lokal në lagjen nr. 1 të qytetit.





