SKOCI – Gjykata skoceze ka dënuar grupin shqiptar të trafikut të drogës, i cili drejtohej nga 29-vjeçar shqiptar me origjinë nga Kosova. Policia skoceze bëri me dije se banda drejtohej nga shqiptarët dhe qarkullonte drogën në shumën e 1.2 milionë funteve. Kreu i bandës së trafikut ishte një ish-fëmijë refugjati, i ardhur nga Kosova më 1999.

Arben Dumani u shndërrua në kreun e grupit skocez të drogës, duke furnizuar qytetet skoceze me kokainë. Agjencia skoceze e luftës kundër drogës, e vëzhgonte që prej një muaji çdo lëvizje të bandës shqiptare të kokainës, duke filmuar gjithçka, raporton gazeta Sunday Mail.

Sipas kësaj gazete bossi Dumani kishte ardhur bashkë me të motrën në Skoci nga Mitrovica, kur ishte në moshën 10-vjeçe. Në kuadër të operacionit policor “Eclipse”, pjesëtarët e tij kanë dalë përpara Gjykatës së Lartë në Glasgoë dhe janë shpallur fajtorë. Prokurori i çështjes, Andew Miller tha në procesin gjyqësor se “Dumani dhe bashkëpunëtorët e tij ishin në dijeni të operacionit policor, por përdornin dorashka plastike për të mos lënë shenjat e gishtërinjve dhe të ADN-së”.

Kryehetuesi i agjencisë skoceze të luftës kundër drogës, Athol Aitken tha për “Sunday Mail” se kishim të bënim me një sasi të madhe droge që do të dëmtonte tej mase komunitetet në Skoci nga përdorimi i saj dhe se e mirëpret vendimin e gjykatës. Arben Dumani dhe një bashkëpunëtor i bandës u shpallën fajtorë, kurse dy bashkëpunëtore të tyre, të gjithë shqiptarë, e pranuan akuzën gjatë procesit gjyqësor.

Ndërkohë, Dumani gjatë tërë kohës deklaronte se është i pafajshëm dhe se ishte viktimë e Prokurorisë. Edhe motra e Dumanit, Aida, 25 vjeçe, thoshte se vëllai i saj ishte viktime e sajesave nga Prokuroria dhe se ai nuk kishte bërë asnjë shkelje.