Gjykata e Krimeve të Rënda ka mbyllur procesin gjyqësor “Lazarati 2014” duke dhënë dënimet për të gjithë të pandehurit.
Gate Mahmutaj, i cilësuar si kreu i “Grupit të Zjarrit” në Lazarat, u dënua me 18 vjet heqje lirie.
Krimet e Rënda kanë dënuar me 17 vjet burg Arjan Bashën, 12 vjet Ramadan Bashën, dhe 11 vjet Matias Boçajn. Gjykata ka dënuar me 7 vjet burg Vandam Mahmutajn, djalin e Gate Mahmutajt, po aq sa edhe Klajdi Telemanin. Alteo Haskaj u dënua me 11 vjet burg, ndërsa Endien Shametaj me 12 vjet burg dhe Drini Aliko me 2 vjet burg.
Gate Mahmutaj është arrestuar përgjatë vitit 2014, kur në atë periudhë, Policia e Shtetit ndërhyri në Lazarat për asgjësimin e bimëve narkotike. Në operacion, policia u sulmua me armë zjarri nga disa persona, mes të cilëve ishte edhe Gate Mahmutaj, që thuhet se ka drejtuar grupin e armatosur. Ndaj tij rëndon edhe akuza e kultivimit dhe shitjes së kanabisit, pasi në banesën e Mahmutajt u gjet një laborator i përpunimit të hashashit.
Të gjithë të dënuarve do t’u ulet 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.





