GJKKO ka dënuar gjyqtaren Mimoza Margjeka e cila ishte nën akuzë për korrupsion.
Gjykata e dënoi gjyqtaren me 4 vite e 6 muaj burg, por ajo do të jetë e lirë, për shkak se dënimi i konvertohet në shlyerjen për 3 vite rresht shërbim prove.
Sipas hetimeve të SPAK, rezulton se bashkëshorti i Mimoza Margjeka ka marrë ryshfet një shumë prej 6 mijë euro për të ndryshuar një vendim.
Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit, nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar për trafik klandestinësh.
Pas daljes nga seanca gjyqësore, Mimoza Margjeka dha një deklaratë për mediat.
“Unë u dënova, unë jam e kënaqur. Këta që më dënuan janë të mërzitur. Po të ndodhte e kundërta do çuditesha, nuk e kanë çuar ata deri në fund? Dështuan ata? Më të fortit? Që kanë krimin, mafian? Nuk ju besoj më institucioneve. Unë e di që këta njerëz sot kanë qenë të impresionuar dhe të porositur. Më vjen keq për ta. Për mua familja ime do e gjejë një zgjidhje. Nuk u përmbys bota. Më dënuan mua, s’është fundi i botës. Shyqyr që nuk është koha e Enverit që i varnin, se gjynah për fëmijët. Për të tjerat, do ia dalim, do ia dalim”, tha Margjeka.
Ndërkaq bashkë me gjyqtaren të përfshirë në këtë ngjarje janë Nejton Bali, Klaudjo Zhilla, Skënder Demiraj të cilët në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë konsumuar veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, duke i dhënë gjyqtares Mimoza Margjeka, nëpërmjet bashkëshortit të saj, Arben Cara, një shumë prej 6.000 eurosh, si përfitim të paligjshëm.
Sakaq, bashkëshorti i Margjekës , u dënua me 4 vite burg. Ndërsa Klaudio Zhilla u dënua me 3 vite burg. Skënder Demijraj me 3 vite shërbim prove dhe Nejton Bali me 2.4 vite shërbim prove.