Është dënuar me 14 vite burg nga Gjykata e Bruklinit një ish-oficer policie në SHBA me origjinë shqiptare. Bëhet fjalë për shtetasin Besnik Llakatura 38 vjeç, që akuzohet si pjesëmarrës në një organizatë kriminale që shantazhonte bizneset në Queens, New York.

Në vitin 2013, Llakatura ishte oficer aktiv në zonën e Staten Island. Njëkohësisht ai ishte anëtar edhe i një grupi kriminal, që drejtohej nga një tjetër shqiptar, Redinel Dervishaj. Ky grup kriminal u vendoste gjoba bizneseve duke i shantazhuar dhe kërcënuar.

Llakatura shantazhonte biznesmenë, duke i detyruar të paguanin mijëra dollarë në muaj. Në dhjetor të vitit 2015, Llakatura pranoi fajësinë në Gjykatë dhe u shkarkua nga Departamenti i Policisë së New York-ut. Ai tha para hetuesve se drejtuesi i grupit kriminal, Redinel Dervishaj ishte një person i rrezikshëm dhe kishte lidhje me krimin e organizuar shqiptar. 

Sipas avokatëve të Besnik Llakaturës, 38-vjeçari bëri gabim të madh duke u bashkuar me organizatën e Redinel Dervishajt. Redineli është vëllai i Plaurent Dervishajt nga Durrësi, kunati i Lulzim Berishës, i cilësuar si ish-kreu i bandës së Durrësit.