Një gjykatë federale në Nju Jork ka dënuar me shtatë vite e tre muaj burg ish-kongresmenin republikan George Santos, i akuzuar për një sërë mashtrimesh, përfshirë krijimin e një CV-je të rreme dhe përvetësimin e fondeve të dhuruara nga persona të moshuar dhe me aftësi të kufizuara.

Prokurorët e përshkruan Santosin si një individ të pangopur për para dhe famë, i cili abuzoi me sistemin zgjedhor për interesat e tij personale. Edhe pse ish-deputeti pranoi fajësinë për dy akuza mashtrimi dhe shfaqi pendesë në publik, prokurorët e cilësuan atë si një “gënjeshtar patologjik” që nuk ka treguar ndjesë të vërtetë për veprimet e tij.

Avokatët mbrojtës kërkuan dënim minimal prej dy vitesh, duke argumentuar se sjellja e Santos ishte rezultat i dëshpërimit dhe jo qëllim i keq, ndërsa theksuan se ai kishte një dosje të pastër penale.

George Santos u zgjodh në Kongres në vitin 2022, duke marrë një vend në Long Island të Nju Jorkut që më parë i përkiste demokratëve. Por shumë shpejt doli në pah se ai kishte manipuluar me të dhënat në rezyme, përfshirë pretendimin se ishte hebre – të cilin më vonë e zbuti duke deklaruar se ishte “pothuajse hebre”.

Hetimet zbuluan gjithashtu mashtrime në financimin e fushatës së tij zgjedhore. Ai akuzohet për vjedhje identiteti dhe për përdorimin e donacioneve për të jetuar në luks, përfshirë shpenzime për qira, udhëtime, trajtime bukurie, mallra luksoze dhe abonim në platformën OnlyFans.

Në dhjetor të vitit 2023, Dhoma e Përfaqësuesve votoi për shkarkimin e tij.