Për javë të tëra, në dimrin e vitit 2016, përhapi panik përgjatë autostradave në veri të Italisë me një “Audi” të verdhë, të vjedhur, të shpejtë e të pakapshme. Sot, për Vasil Ramën, 36 vjeç, shoferi i makinës që lëvizte me 260 km/h me manovra të rrezikshme në kundravajtje pas vjedhjeve me bashkëpunëtorët e tij, erdhi ora e drejtësisë.
Dy vite e 6 muaj burgim është dënimi i dhënë ndaj tij nga gjykata e Venezia-s në Itali, 6 muaj më shumë se kërkesa e prokurorisë.
Vasil Rama, përveç sjelljes kriminale, u akuzua për vjedhje të rënda, rezistencë ndaj një zyrtari publik dhe posedim të mallrave të vjedhur.
Tashmë, ai ndodhet në burg. Vasil Rama u arrestua në Greqi vitin e shkuar për t'u ekstraduar më pas drejt Italisë.
Ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij (po shqiptarë), anëtarët e bandës së “Audit të verdhë”, të dyshuar për disa vjedhje e grabitje, janë ende në kërkim policor.





