Bashkëshorti i një këngëtareje të njohur nigeriane, Osinachi Nwachukwu është dënuar me varje pasi është shpallur fajtor për vdekjen e saj 3 vite më parë.
Ylli 42-vjeçar i muzikës gospel u deklarua se vdiq nga kanceri në fyt, para se familja e saj të publikonte akuza për dhunë bashkëshortore, raporton BBC. Ata akuzuan Peter Nwachukwu për abuzimin e këngëtares që solli më pas vdekjen e saj.
Një gjykatës e shpalli fajtor për 23 akuza, përfshirë vrasje të qëllimshme dhe i dha dënimin maksimal.
Peter Nwachukwu i ka mohuar akuzat dhe nuk dihet nëse do të ekzekutohet, pasi autoritetet rrallë e zbatojnë dënimin me vdekje. Ai ka të drejtën ta apelojë vendimin.
Çështja e cila është ngritur në Gjyaktën e Lartë në Abuja, ka marrë shumë vëmendje në Nigeri për shkak të emrit të këngëtares dhe shqetësimit lidhur me dhunën bashkëshortore.
Peter Nwachukwu u arrestua në vitin 2022 dhe u akuzua për abuzim emocional, verbal e psikologjik dhe keqtrajtim të të miturve.
17 persona, përfshirë 4 fëmijët e çiftit u thirrën nga prokuroria si dëshmitarë. Nwachukwu u shpall fajtor për të gjitha akuzat, pasi gjykata vendosi se prokuroria e kishte provuar çështjen e saj përtej çdo dyshimi të arsyeshëm./