WASHINGTON– Rreshteri i Marinës amerikane, Joseph Chamblin, është shpallur fajtor për urinim mbi trupat e pajetë të luftëtarëve talibanë dhe regjistrimin e incidentit me anë të videove dhe fotografive.
Gjykatësi ka shqiptuar masën e dënimit për të prej 30 ditësh burgim, gjobën prej 2,000 dollarësh, si dhe zvogëlimin në gradë, transmeton rel njoftimin.
Videoja e rreshterit Chamblin dhe e marinsave të tjerë amerikanë, duke urinuar mbi tre trupa të talibanëve në Helmand të Afganistanit, është postuar vitin e kaluar në YouTube dhe ueb-faqe të tjera.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, ka thënë në atë kohë se videoja është për keqardhje dhe ka premtuar hetime të incidentit.