Itali, 4 korrik 2014 – Gjykata italiane e Bolxanos (Tiroli i jugut- krahinë gjermanofone e Italisë së Veriut) dha dënime me dy deri gjashtë vjet burg për 11 shqiptarë. Akuzat e ngritura për ta ishin vjedhje, grabitje, vjedhje me thyerje etj. Banda e hajdutëve shqiptarë ka kryer së paku 40 vjedhje, 14 prej të cilave janë kryer në rajonin e Alto Adixhes (Alto Adige) dhe Tirolit të Jugut.
Ndër të dënuarit ishin Zef Zefi (ne foto), 37 vjeç, i quajtur Daja apo edhe Dragoi. Krahu i tij i djathtë ishte Alfred Gjergji, 27 vjeç. Anëtarë të tjerë të bandës së hajdutëve janë: Edison Lica, më pak se 20 vjeç, i arrestuar katër herë për vjedhje që nga shkurti i vitit 2012, Emirjon Gjonaj, 22 vjeç, Vladimir Bardhi, 28 vjeç, me profesion picabërës, Klinton Gazidedja, 21 vjeç, Alfred Gjini, 25 vjeç, Mark Gjishnika, 27 vjeç, sipërmarrës i vogël ndërtimi dhe Vilson Vata, 21 vjeç,
Banda është ndihmuar nga disa austriakë, shtetas italianë, që i kanë vënë në dispozicion kundrejt pagesës, shtëpi apo magazina, për tu fshehur pas kryerjes së vjedhjes së rradhës. Banda vidhte çdo gjë që mundte, para, sende të arta, pajisje elektronike, veshje firmato, elektroshtëpiake, automjete, karta debiti etj.
Hetimi i kësaj bande ishte i vështirë, sepse anëtarët e bandës përdornin karta telefoni celular të vendeve të Afrikës së veriut (Tunizi dhe Marok), madje të tilla karta nuk i përdornin më shumë se dy ditë rrjesht. Ata përdornin makina të vjedhura për të grabitur banesa dhe locale dhe pasi përfundonin me sukses grabitjen, i braktisnin makinat pa lënë shenja identifikuese në to.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





