6 trafikantë droge, mes të cilëve edhe një shqiptar janë dënuar nga një gjykatë londineze për trafik lëndësh narkotike. Ata po trafikonin në Britani nga Holanda një sasi droge me vlerë prej 1.6 miliardë sterlinash.

Për transportimin e lëndëve narkotike përdorej një flotë e tërë ambulancash të rreme, të cilët hiqeshin si infermierë, që sillnin apo merrnin pacientë të rremë për trajtim në spitalet e Londrës, shkruan Top Channel. Ata përdornin dokumentacione false, pajisje të vërteta mjekësore dhe uniforma zyrtare për të mashtruar zyrtarët e doganës.

Autoritetet britanike kujtonin se ambulancat vinin në Angli për të transportuar prej andej turistë të sëmure holandezë, ku madje njëri prej tyre ishte me paterica.

Dy nga pjesëtarët e grupit, mes tyre edhe shqiptarin, Kastrati, detektivët britanikë i kanë arrestuar në vendngjarje pas ndalimit të një ambulance nga Agjensia e Luftës kundër Krimit.

Shifrat e përfshira në këtë konspiracion droge flasin vetë për përmasat dhe sofistikimin e përdorur për trafikimin e një sasi marramendëse droge nga Hollanda në Angli. Pjesëtarët e grupit kriminal, 6 anglezë dhe një shqiptar, gjatë 50 udhëtimeve në periudhën 2014-2015, nga Amsterdami në Londër e Birmingam, kanë sjellë një sasi droge e cila sipas Agjensisë Kombëtare të Luftës kundër Krimit, kapte shifrën e 1.6 miliardë sterlinave, raporton TCH.

Dënimet e tyre shkojnë në 94 vjet burg, ku shqiptarit nga Londra, 42-vjeçarit Petrit Kastrati iu dhanë 17 vjet e gjysmë heqje lirie.

Shqiptari me banim në Crystal Palace, në jug të Londrës ishte korrier i një grupi tjetër kriminal, të cilit gjykatësi i çështjes Francis Laird, iu drejtua duke i thënë se “ju jeni një korrier i besueshëm, ku keni pasur një rol të rëndësishëm në këtë konspiracion”.

Detektivët britanikë janë shokuar nga ky konspiracion, jo vetëm për sasinë jashtëzakonisht të madhe të drogës të cilësisë së parë me vlerë 1.6 miliardë sterlina, por edhe sofistikimit të paprecedentë të operacionit, i denjë për skenar filmi.