Një shqiptar në Belgjikë është dënuar me 7 vite burg pasi plagosi me armë dy persona, në nëntor të vitit 2015 në qytetin Ghent. Shqiptari me iniciale H.L. u qëllua me një shkop bejsbolli dhe më pas nxorri armën duke qëlluar dy personat me të cilët ishte në tavolinë në një lokal ku të dy mbetën të plagosur.

Shqiptari që jeton dhe punon në Paris, pritet që të apelojë vendimin. Gjykatësi i çështjes tha prerazi se të tilla ngjarje nuk tolerohen.

"Siguria e qytetit është mbi gjithçka. Nuk mund të tolerojmë grindjet familjare në rrugët publike dhe as nuk mund të tolerojmë përdorimin e armëve të zjarrit. Të plagosurit janë me fat që nuk u vranë. Siguria dhe jeta e qytetarëve të Ghent duhet të garantohet në çdo kohë",  tha gjyqtari Hans De Waele.