Katër ditë para zgjedhjeve të 11 majit, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka dërguar një letër urgjente kompanisë postare DHL International (Albania), ku kërkon informacion të detajuar mbi mënyrën e shpërndarjes së dokumentacionit zgjedhor për qytetarët shqiptarë që votojnë nga jashtë vendit, konkretisht në Greqi.
Letra vjen pas shqetësimeve të ngritura nga Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore, lidhur me parregullsi të mundshme në dërgesat postare të materialeve zgjedhore, duke vënë në pikëpyetje integritetin e procesit të votimit jashtë territorit.

Në letrën zyrtare me numër protokolli 4009, Celibashi i drejtohet drejtorit të DHL Albania, me një listë pyetjesh të detajuara për të cilat kërkohet përgjigje urgjente. Ndër to përfshihen:
-Strukturat dhe personeli i angazhuar në procesin e shpërndarjes;
-Nëse dërgesat janë deleguar palëve të treta dhe çfarë marrëveshjesh janë lidhur;
-Numri i zgjedhësve që nuk kanë marrë njoftim apo dokumentacionin zgjedhor;
-Shkaqet e mosdorëzimit të materialeve;
-Dokumentacioni provues për rastet e dorëzimit të dokumentacionit në dorë;
-Raste kur dërgesat janë tërhequr në banesë apo dorëzuar në zyrat e operatorit postar.
Celibashi thekson në letër se ky informacion është thelbësor për mbarëvajtjen e procesit dhe kërkon që të dorëzohet “brenda një afati sa më të shkurtër”.





