“Ping pong” në dyert e bashkisë dhe sorollatje në zyrat e institucioneve shtetërore, e konsideron atë që po i ndodh prej dy vitesh Nikolla Dafa nga Durrësi, i cili zotëron agjencinë e transportit “Adis shpk” me seli po në Durrës.
Dafa denoncon në redaksinë e “DurrësLajm” problemin që po e shoqëron që prej 2018-s duke e kufizuar në aktivitetin e punës, dhe që askush nuk i jep zgjidhje pavarësisht se sipas kërkesës së tij, i zotëron të gjitha dokumentacionet ligjore dhe kushtet konform rregullave.
Bashkia e Durrësit prej vitit 2018, ka pezulluar definitivisht dhënien e licencave për shërbime të rregullta të specializuara, ndonëse është e detyruar nga ligji të lëshojë një licencë të tillë.
Nikolla Dafa tregon se kërkesat kanë qenë të vazhdueshme në bashki nga ana e tij, por askush nga personat përgjegjës: specialisti i Transportit, juristja e zyrës së Shërbimeve dhe drejtoresha e Shërbimeve, për arsye të një vakuumi ligjor, nuk ia japin licencën për autobusin (46+1 vende).
“Justifikimi është ky: për marrjen e licencës në kërkesën Tip që i drejtohet bashkisë, përveç dokumenteve kërkohet dhe akt-vlerësimi i kushteve të autobusit, që merret pranë DPSHTRR-së. Një dokument të tillë ne e kemi marrë, ia kemi paraqitur bashkisë, por në shkurt 2018, ka dalë një VKM, i cili për transportin e nxënësve dhe studentëve, të detyron për vendosjen e kamerave në autobus. Edhe këtë kusht e plotësoj, pasi e kam pajisur autobusin me kamera”, shpjegon Dafa.
Duke treguar me hallka të gjitha veprimet e ndërmarra dhe asnjë grup përgjegjës nuk ka shkuar të bëjë verifikimet përkatëse dhe të japë verdiktin nëse i plotëson kushtet apo jo, Dafa është në udhëkryq: “Cili është institucioni që duhet të paraqitem, pasi bashkia nuk është e zonja të më përgjigjet?”
Përveç licencës që kërkon, “Adis” disponon edhe një licencë nga Ministria e Transporteve për udhëtime brenda e jashtë vendit, i cili tregon se autobusët e agjencisë plotësojnë të gjitha kushtet për të dalë jashtë shtetit, dhe ndërkohë nuk i plotësojnë për të lëvizur nga Durrësi deri tek universiteti “Epoka”…
Ndodhur në këto kushte, por nga ana tjetër në përpjekje të vazhdueshme për t’u pajisur me të vetmin dokument që e pengon të ushtrojë aktivitetin për të qenë korrekt me ligjin, ka kryer udhëtime duke përdorur licencën e udhëtimeve të rastit, pra ato turistike.
“Kam blerë fatura tek Tatim-Taksat për studentët. Jam i mbuluar para ligjit. Por rreth dy javë më parë, më ka kapur policia në Maminas e më ka bllokuar licencën e udhëtimeve turistike”, është peripecia e radhës që po kalon agjencia në fjalë, e cila tanimë nuk disponon asnjë licencë, duke i paralizuar kështu aktivitetin.
Teksa është në pritje të dalë në Komisionin e Vlerësimit ditën e enjte, Dafa kërkon që Bashkia të kryejë thjesht detyrën e saj, të ngrejë një grup pune, të bëjë verifikimet përkatëse dhe të pajisë me licencë subjektin.
S.L.





