Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se administratës shtetërore po i ushtrohet presion për tu anëtarësuar në Partinë Socialiste.

Bardhi tha se punonjësit janë kërcënuar me heqjen nga puna nesë nuk anëtarësohen në PS. Ai tha se këta njerëz që i shërbejnë shtetit shqiptar, që kanë punuar dhe do të punojnë me çdo qeveri nuk mund të kërcënohen me bukën e gojës nga asnjë parti

“E dini çfarë po ndodh? Del dhe krenohet për anëtarësimet e reja në partinë Socialiste, po shkoni pak dhe pyesni çfarë terrori po ndodh në administratën publike. Çdo punonjës i administratës publike i shërbimit civil, që ka punuar me Partinë Demokratike, me Partinë Socialiste, kurrë nuk janë kërcënuar me bukën e gojës për tu anëtarësuar në një parti politike.

Sot që flasim janë nën terrorin e bandës shtetërore me në krye Edi Ramën, ose të anëtarësohen në Partinë Socialiste ose të japin dorëheqjen për tu larguar nga shërbimi civil ose administrate publike. A mund të jetë ky një vend kandidat për në Bashkimin Europian? A është ky një vend anëtar i NATO-s që kërcënon punonjës 30-vjeçar të administratës dhe shërbimit civil që nëse nuk anëtarësoheni në një parti politike do të largohen nga puna?

Këta njerëz që i shërbejnë shtetit shqiptar, që kanë punuar me çdo qeveri dhe do të punojnë me çdo qeveri sa kohë janë profesionistë në administratë nuk mund të kërcënohen me bukën e gojës nga asnjë parti. Kjo po ndodh sot”, tha Bardhi.