Anëtari i kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi ka reaguar në lidhje me atë se çfarë ndodhi një ditë më parë para SPAK, ku u dha masa e sigurisë “arrest me burg” për Erion Veliajn, ndërsa mbështetës së tij kishin dalë në mbështetje.

Sipas Këlliçit, në atë protestë ishin të pranishëm të gjithë punonjësit e bashkisë, ndërsa tha se policia “i la qëllimisht drejtorët e bashkisë dhe paramilitarët e Rilindjes të rrethonin SPAK-un”.

Ai tha se ‘Partia Demokratike e sheh me shqetësim përshkallëzimin e djeshëm fizik dhe verbal të dhunës kundër prokurorit Ols Dado dhe kolegëve të tij, të cilëve i’u rrezikua dhe jeta në momentet kur dolën nga ambientet e SPAK’.

Në një deklaratë për mediat, Këlliçi deklaroi se kanë nisur kërcënimet dhe ndaj gjyqtares Ilirjana Olldashi.

“Burimet tona informale na vënë në dijeni se ndaj gjyqtares Olldashi kanë filluar mesazhet, si joshëse ashtu edhe kërcënuese, për të favorizuar Erion Veliajn dhe grupin e tij kriminal dhe për të anashkaluar ligjin, siç është bërë shumë herë për megaaferat e këtij të fundit, përfshi Inceneratorin fantazmë të Tiranës dhe aferën kriminale 5D”, tha Këlliçi.

Deklarata e anëtarit të kryesisë së PD, Belind Këlliçi:

Të nderuar qytetarë,

Pamjet e djeshme, ku patronazhistët e kreut të ‘5D’ dhe paramilitarët e Rilindjes, drejtorët e bashkisë Tiranë, policët bashkiakë e punonjësit e UKT, rrethuan godinën e SPAK për 15 orë, nuk kanë nevojë për koment!

Përveçse shenjë barbarie e njerëzve që kanë të gjitha pushtetet dhe shkallmojnë mendsh kur një fragment i pushtetit gjyqësor merr urdhër nga ligji, dhe jo nga shefi i tyre, rrethimi i djeshëm tregon më së miri se kush është fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe se çfarë mendon ai për drejtësinë e pavarur dhe njerëzit që nuk i ka në dorë, për të cilët deri dje mburrej dhe thonte se kjo është drejtësia që duam.

Partia Demokratike e sheh me shqetësim përshkallëzimin e djeshëm fizik dhe verbal të dhunës kundër prokurorit Ols Dado dhe kolegëve të tij, të cilëve i’u rrezikua dhe jeta në momentet kur dolën nga ambientet e SPAK.

Përpjekja për t’i indimiduar ata fizikisht dhe verbalisht në vendin e punës dhe në krye të detyrës, është e papranueshme, anti-europiane dhe anti-demokratike.

Ne dënojmë me forcë tërheqjen e policisë së shtetit para turmës së pushtetit, duke e lënë perimetrin e sigurisë të institucionit të drejtësisë në dorën e patronazhistëve dhe killerave online dhe offline të kreut të 5D Veliaj dhe narko kryeministrit Rama.

Prania e djeshme paramilitare e mercenarëve të Veliajt, frymëzuar edhe nga gjuha e mbushur me urrejtje e kërcënime e Edi Ramës, nuk ishte provë force dhe intimidimi vetëm ndaj prokurorit Dado, që doli mbi barrikadën e frikës, por edhe mbi gjyqtaren e Apelit Ilirjana Olldashi.

Burimet tona informale na vënë në dijeni se ndaj gjyqtares Olldashi kanë filluar mesazhet, si joshëse ashtu edhe kërcënuese, për të favorizuar Erion Veliajn dhe grupin e tij kriminal dhe për të anashkaluar ligjin, siç është bërë shumë herë për megaaferat e këtij të fundit, përfshi Inceneratorin fantazmë të Tiranës dhe aferën kriminale 5D.

Partia Demokratike u bën thirrje prokurorëve dhe gjyqtarëve të ndershëm që të rezistojnë dhe të japin kontributin e tyre në vendosjen e një drejtësie që nuk sheh majtas apo djathtas, por vetëm zemrën dhe thelbin e ligjit.

Ky ka qenë parimi ynë konstant, dhe mbi këtë parim ne jemi të gatshëm të ndërtojmë një marrëdhënie të re dhe afatgjatë me drejtësinë. Pa i ndërhyrë në punët e saj, por pa e lejuar të bëhet palë me pushtetin, qoftë edhe me pushtetin tonë nesër.

Në fund dy fjalë për Ervin Enver Hoxhën, që nuk i kanë mbetur as dy gisht fytyrë dhe as dy pare mend. Sot ai deklaroi se nuk e dislokoi policinë, dhe as konfiguroi një perimetër sigurie rreth SPAK-ut, sepse sipas tij ai nuk kishte njoftim.

A duhet vallë njoftim për një ngjarje që zgjat 15 orë dhe është live në gjysmën e mediave të vendit?! A duhet njoftim për një ngjarje që është paralajmëruar në media e portale të vendit që 24 orë më parë?!

Nuk është njoftimi që e ka penguar, por urdhri që ka marrë, dhe synimi i tij si ministër i narkoshtetit për t’u bërë pjesë e intimidimit dhe krijimit të klimës së pasigurisë për trupën e drejtësisë, që po u këput edhe petalin e parafundit të trëndafilit socialist.