Policia e Durrësit ka reaguar mbrëmjen e sotme lidhur me një denoncim të bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha lidhur me keqtrajtimin e një të mituri në komisariat dhe nisjen e tij në gjendje kritike drejt spitalit.

Pak pas publikimit, ish-kryeministri e ka fshirë postimin e tij nga rrjetet sociale.

Policia sqaron se bëhet fjalë për një 41-vjeçare që nuk është ndier mirë, pasi kishte ardhur ne komisarit per denoncim dhe jo për keqtrajtimin e një të mituri nga efektivët.

“Në lidhje me një lajm të publikuar në rrjetin social të shtetasit S. B., se një i mitur është keqtrajtuar në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës, ju sqarojmë se:

Më datë 12.12.2020, rreth orës 00:30, është paraqitur në ambientet e Policisë Durrës një shtetase 41 vjeçe, banuese në Maminas, për të bërë një denoncim.

Shtetësja në fjalë nuk është ndjerë mirë dhe nga ana e shërbimeve të Policisë është njoftuar ambulanca e Spitalit Rajonal Durrës të cilët e kanë marrë dhe i kanë dhënë ndihmën e nevojshme.

Pas daljes nga Urgjenca e Spitalit Rajonal Durrës, kjo shtetase ka bërë kallëllzim për një shtetas 25 vjeç, në përfundim të veprimeve nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak, janë referuar materialet proceduriale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike”.

DVP Durrës fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar reagim të shpejtë e të paanshëm, kundrejt atyre që shkelin ligjin dhe cenojnë jetën e qytetarëve.”,– sqaron policia