Një qytetare, banore e lagjes nr.17 në Durrës, denoncon dëmtimet që ka pësuar një rrugë e rikonstruktuar vetëm disa javë më parë.
Bëhet fjalë për aksin “Dalip Peza”, i cili megjithëse u rikosntruktua nga bashkia ka cedime të asfaltit, kjo edhe për shkak të mjeteve të rënda që e përshkojnë atë ditë për ditë, për shkak se janë të angazhuara në riforcimin e pallatit “Jedas”, një nga godinat më të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
“Pershendetje, ne vijim video nga rruga Dalip Peza ne lagjen 17, rruge e inauguruar rreth 2 jave me pare. Ne gjendje te mjerueshme. Cdo nate ne oren 24:00 kalon vinç i tonazhit te rende dhe makina te tjera ndertimore qe po punojne tek pallati Jedas. Faleminderit”,– shkruan qytetarja, ndërsa denoncimin e saj e shoqëron me videon e mëposhtme.
Riforcimi i pallatit “Jedas” pritej prej kohësh, madje banorët e këtij kompleksi banimi kanë bërë disa herë protestë para bashkisë për vonesat në nisjen e punimeve.
Për të mos dëmtuar një investim rrugor të sapo përfunduar, pushteti lokal mund ta kishte planifikuar rikonstruksionin e këtij aksi, pas përfundimit të punimeve për rikthimin në normalitet të godinave shumëkatëshe me dëme DS4, që ndodhen në këtë zonë.