Kreu i Partisë Demokratike Durrës, Ferdinand Xhaferraj ka bërë një denoncim të rëndë ditën e sotme lidhur me privatizimin e varrezave, vendim që kaloi në mbledhjen e ditës së enjte të Këshillit Bashkiak. Sipas Xhaferrajt, KB Durrës veproi në shkelje të ligjit 91 të Kodit Zgjedhor, i cili ndalon dhënien e shërbimeve publike katër muaj përpara zgjedhjeve.
Kryetari i PD Durrës, Ferdinand Xhaferraj, tha ndër të tjera se vlera e konçensionit është 376 milionë lekë të vjetra.
“Bashkia ka vendosur të privatizojë shërbimin funeral, por në të vërtetë relacioni i referohet një vendimi të vjetër. Gjithmonë kanë dashur të përfitojnë edhe nga ata që humbin jetën. Vendimi i referohet një vendimi të vjetër të 2019, për 88 mln lekë të vjetra, por ajo që nuk sqarohet është se ajo që jepet me koncension shpjegohet më poshtë e cila në të vërtetë është një shumë prej 376 mln lekë të vjetra. Një grabitje e pastër, një taksë e re që u shtohet qytetarëve të këtij qyteti.”
Sipas burimeve të tij, fituesi i konçensionit të varrezave është kryetari i Partisë Socialiste Durrës, Luan Zaza.
“Në prag të ikjes kanë shkuar përtej. Në të gjitha burimet që kam brenda bashkisë, këtë koncension e fiton Luan Zaza, kreu i Partisë Socialiste dega Durrës. Nuk paskan të ngopur në grabitjen që i bëjnë qytetarëve të Durrësit. Këto janë nga ato të shumta ku përplaset dhunshëm në fytyrë dëshira e tyre për të përfituar nga qytetarët.”





