Në një dalje për mediat, kreu i Partisë Demokratike, dega Durrës, Ferdinand Xhaferraj ka denoncuar nga Urgjenca e qytetit bregdetar atë që ai e quan skandali i radhës.
Duke kujtuar mbajtjen e detyrueshme të maskave nga dita e nesërme, Xhaferraj tha se qytetari durrsak nuk është burim infeksioni, por vetë spitali i Durrësit.
Kjo pasi në Urgjencën e spitalit qëndrojnë pacientë të dyshuar me Covid, në të njëjtën kohë kur në këto ambiente kalojnë e qëndrojnë mjekë, infermierë, fëmijë e të sëmurë, duke rrezikuar jetën e këtyre të fundit.
Sipas tij, kjo është një vepër penale dhe kriminale ndaj bëri thirrje që Prokuroria të nisë hetimet ndërsa Ministria e Shëndetësisë të ndërhyjë menjëherë.
“Këtu, te hyrja e Urgjencës kalon pacienti që dyshohet për Covid. Këtu brenda Urgjencës, në dy dhoma ngjitur me sallën e operacionit qëndrojnë të gjithë të dyshuarit me Covid dhe qëndrojnë dy apo tre ditë derisa i vjen përgjigja e testit, që në shumicën e rasteve është pozitive. Pra, këtu ku janë pacientët me Covid, këtu kalojnë e qëndrojnë mjekët, infermierët, sanitarët, të cilët testohen vetëm kur shfaqin simptoma të rënda. Këtu kalojnë të aksidentuarit që kanë nevojë për urgjencën dhe familjarët që i shoqërojnë. Këtu kalojnë fëmijët që kanë temperature për gripin e radhës dhe familjarët që e shoqërojnë. Ky është një skandal! Një skandal që ne si Partia Demokratike e Durrësit kemi kërkesë që menjeherë prokuroria e Durrësit duhet të fillojë hetimin. Është vepër penale, vepër kriminale e dënueshme me ligj ajo çfarë ka ndodhur këto 6 muaj në spital, dhe njëkohësisht Ministria e Shëndetësisë duhet të ndërhyjë menjëherë.”
Kreu i PD Durrës tha se qyteti bregdetar ka një spital infektiv, i cili nuk përdoret as në kohë pandemie, ndaj edhe durrsakët e prekur nga Covid-19 detyrohen të trajtohen në shtëpi me një faturë financiare që i kalon 600 mijë lekë të vjetra.
“Absurditeti tjetër është që Durrësi ka një spital Infektiv, një spital me dy kate, që paguhet me taksat e qytetarëve, një spital Infektiv që nuk përdoret as në kohë pandemie. Këto janë të gjitha arsyet që qytetarët durrsakë edhe kur dyshojnë që kanë Covid, nuk vijnë në spitalin e Durrësit. Mes shumë sakrificash trajtohen në shtëpi me një faturë financiare që i kalon 600 mijë lekë të vjetra. Kjo është shëndetësia falas që ka prodhuar Edi Rama.”, u shpreh ai ndërkohë që dikush nga mbrapa ju komunikon që duhet të largohen pasi nuk kanë të drejtë të filmojnë.
“Ja dhe hallexhiu që merr rrogën dhe i ka thënë spitali që të dalë”, tha Xhaferraj ndërsa pyetjes se sa është shifra e të shtruarve me Covid në spitalin e Durrësit iu përgjigj:
“Zakonisht këtu qëndrojnë të gjithë të dyshuarit, qëndrojnë për 48 orë, për 3 ditë. Kush dyshohet me Covid, nuk ka mjaftuar një dhomë dhe tani i kanë sistemuar në dy dhoma të ndryshme. Një skandal i paparë.”





