Partia Demokratike ka ngritur akuzat ndaj qeverisë për blerjen dhe përdorimin e teknologjisë Deep Packet Inspection (DPI), duke e quajtur këtë veprim një kërcënim të rëndë për privatësinë dhe demokracinë.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo, ka theksuar se kjo është një shenjë e frikës që ka qeveria nga qytetarët dhe një përpjekje për të ushtruar kontroll të plotë mbi ta.
Garo ka premtuar se, me rikthimin e Sali Berishës në pushtet, qytetarët do të rimarrin të drejtat e tyre dhe se privatësia do të mbrohet. Ajo ka kundërshtuar çdo mundësi për të mbyllur platforma sociale si TikTok pa një bazë ligjore të qartë. Zëdhënësja e PD-së i ka bërë thirrje qytetarëve të reagojnë ndaj këtyre masave, duke e cilësuar situatën si alarmante.
Deklarata e plotë:
Të dashur qytetarë,
Një kryeministër që blen dhe përdor Deep Packet Inspection (DPI) nuk është thjesht i pushtuar nga paranoja – ai është një njeri që ka frikë nga populli i tij. Kjo teknologji është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj privatësisë, lirisë së shprehjes dhe demokracisë.
Ju premtoj: Sapo Sali Berisha të rikthehet në pushtet, qytetarët do të rimarrin të drejtat e tyre. Privatësia juaj do të mbrohet. Bisedat tuaja, të dhënat tuaja, liria juaj personale nuk do të përgjohet apo kontrollohet më kurrë nga një qeveri!
Të drejtat qytetare janë të shenjta! Askush nuk ka të drejtë të mbyllë TikTok-un apo platformat e tjera pa një ligj të qartë, vetëm për t’ju përgjuar në fshehtësi më pas.
Zgjohuni, shqiptarë të dashur! Shqipëria jonë po fundoset çdo ditë e më thellë me këtë kryeministër. Është koha të ngrihemi, të mbrojmë të drejtat tona dhe të shpëtojmë demokracinë!