Sekretari i Aksionit Qytetar në PD, Ervin Salianji, ka denoncuar një vendgrumbullim mbetjesh të papërpunuara të braktisura pranë atraksionit turistik të Gjirit të Lalzit në Durrës.
Ai akuzon kryeministrin se droga dhe plehrat janë alternativa e tij për të mbuluar vendin. Ndërkohë që Shqipëria është e mbuluar me plehra dhe nuk ka kapacitet dhe nuk investohet për t’i ndarë në burim dhe për t’i ricikluar ato, Rama kërkon të sjellë edhe plehrat e Europës.
Sipas Salianjit, më shumë se 80 % e mbetjeve shqiptare nuk përpunohen.
“Male të mëdha me mbetje, me plehra, që ndotin zonën dhe e bëjnë të pamundur jetën aty afër, gjenden kudo në Shqipëri. Këto male me plehra rriten çdo ditë, sepse nuk përpunohen, nuk riciklohen. E megjithatë, Edi Rama ka vendosur që këto grumbuj të rrezikshëm me mbetje, t’i shumëfishojë duke sjellë edhe nga Europa, gjoja për të mbajtur gjallë industrinë ricikluese. Ndërkohë, më shumë se 80 për qind e mbetjeve shqiptare nuk riciklohen”, akuzon demokrati.
“Po sjellim sot vetëm një dëshmi se si malet me plehra kanë mbuluar Shqipërinë, se si plehrat që kryeministri i quan mall, që duhet ti marrë nga jashtë për shkak se nuk ka Shqipëria, për të mbajtur industrinë riciklues, ndodhen në çdo pjesë të vendit. Këtu jemi në Bizë, vetëm 500 metra larg resortit turistik që do të ndërtohej nga Fadi Mitri i cili do të hapte 1200 vende të reja pune. Jemi vetëm 1 kilometër në vijë ajrore nga avioni i Guido Guidit, i cili kishte ardhur për të transportuar drogë”, thotë Salianji duke treguar një mizori me mbetje e plehra.
“Kjo është Shqipëria e cila nuk ka kapacitet dhe nuk investohet për të ndarë në burim dhe për të ricikluar plehrat e veta, por sipas kryeministrit këto plehra janë para, të cilat sot hidhen rrugëve, para të cilat kthehen në kancerogjene për banorët e zonës dhe në dëmtuese të mëdha jo vetëm të imazhit të Shqipërisë, por të jetës së qytetarëve shqiptarë. Rrezikshmëria e mbetjeve dhe plehrave do të jenë një katastrofë e madhe për Shqipërinë dhe është një akt antikombëtar”, shprehet Ervin Salianji.





